BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin "Ndërtimi i kapaciteteve për hartimin dhe zbatimin e politikave".

Data e publikimit: 03.12.2009

 

Në datat 3-4 dhjetor 2009, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Center of Excellence in Finance (CEF) – Slloveni, si dhe me mbështetjen e Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, organizoi takimin “ Ndërtimi i kapaciteteve për hartimin dhe zbatimin e politikave”.

guvernatori ne takimin 3

Ky takim, adresoi sfidat kryesore që shoqërojnë hartimin dhe ankorimin e politikave, me një theks të veçantë në ndërtimin e kapaciteteve individuale dhe institucionale në këtë fushë shumë të rëndësishme.

Takimi, i cili organizohet për herë të parë në Shqipëri, mblodhi përfaqësues nga bankat qendrore dhe ministritë e financave të vendeve të Evropës Juglindore si: Bosnja – Hercegovina, Bullgaria, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Moldavia, Rumania, Turqia, Serbia, Shqipëria. Lektorët kryesorë do të jenë nga Center of Excellence in Finance (CEF), Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Në fjalën e tij të hapjes, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani theksoi rëndësinë e ndërtimit të politikave të duhura ekonomike për të identifikuar, modelin e ri të rritjes ekonomike, post krizë, në qendër të të cilit do të jetë thithja e kapitalit të huaj në rajon . Ai sugjeroi ndërmarrjen e politikave fiskale që shmangin rrezikun si dhe ndërmarrjen e reformave të duhura strukturore për përmirësimin e mjedisit të biznesit, të cilat natyrshëm do të ndihmojnë në rritjen e flukseve të reja hyrëse të kapitalit dhe do të çojnë drejt një rritje të fuqishme dhe të qëndrueshme të tyre.

Gjatë diskutimit me pjesëmarrësit, Guvernatori ka parashtruar nevojën për të kthyer institucionet evropiane dhe procesin e integrimit në një ankorëte jashtme të mirëfilltë,të fortë dhe eficiente.Sipas Guvernatorit, forcimi i ankorave të jashtme në një periudhë afatmesme, është një domosdosmëri dhe politikat evropiane apo vetë insitucionet e BE mund dhe duhet ta luajnë këtë rol.

Aktualisht, procedurat e mbikëqyrjes fiskale të zbatuara prej BE ofrojnë një ankorë “të natyrshme” në periudhë afatgjatë për vendet e rajonit, por do të ishte e arsyeshme që këto procedura të forcoheshin më tej, ndonëse gradualisht, me qëllim që të sigurojnë një dialog më të thellë e më të efektshëm.

Nga ana tjetër, vetë procesi i Lisbonës megjithëse është shumë përfshirës në prioritetet e tij përsëri nevojitet një përcaktim më i saktë strukturor për rolin dhe ndihmën që FMN, Banka Botërore dhe BERZH-i, do të jepnin në ankorimin e veprimeve të vendeve me qëllim përmirësimin e mjedisit të biznesit.

Po kaq rëndësi kanë dhe ankorat e brendshme të vetë vedneve të rajonit, duke nënkuptuar hartimin e politikave ekonomike financiare të shëndosha nga njëra anë dhe krijimin e kapaciteteve të duhura për asimilimin dhe zbatimin e tyre në praktikë nga ana tjetër.