BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorëve të Bankave Qendrore të Evropës Juglindore në Selanik, Greqi

Data e publikimit: 11.02.2008

 

Me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Greqisë, z. Nicholas C. Garganas, guvernatorët e bankave qendrore të Shqipërisë, Bullgarisë, Bosnje Hercegovinës, Qipros, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Greqisë, Malit të Zi, Rumanisë dhe të Serbisë, si dhe drejtuesit e dy Autoriteteve Mbikëqyrëse të Bosnje Hercegovinës, zhvilluan në datën 8 shkurt një takim në Selanik. Ky takim u mbajt në kuadrin e Memorandumit të përbashkët të Mirëkuptimit, i nënshkruar në Athinë në korrik 2007, dhe ai synonte rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit në fushën e mbikëqyrjes bankare në vendet e Evropës Juglindore, si dhe ruajtjen e stabilitetit financiar në rajon. Në qendër të diskutimeve ishin dhe konkluzionet e arritura në takimin e drejtuesve të departamenteve të mbikëqyrjes bankare që u zhvillua në Selanik në datën 18 janar.

guvernatori ne takimin 3

Guvernatorët e bankave qendrore u shprehën në këtë takim se pasojat e tronditjeve të vazhdueshme në tregjet financiare ndërkombëtare mbi ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore deri tani kanë qenë të tërthorta dhe mjaft të kufizuara. Ata gjithashtu pranuan faktin se në rast vijimi të kësaj situate, në ekonomitë e këtyre vendeve do të ketë mjaft pasiguri, si pasojë e një ngadalësimi të mëtejshëm të mundshëm të rritjes vjetore të prodhimit dhe të tregtisë botërore. Në këtë kuadër, guvernatorët e bankave qendrore theksuan rëndësinë e politikave që garantojnë dhe nxisin zhvillimin e tregjeve mbi baza të shëndetshme financiare dhe ekonomike. Duke marrë parasysh rritjen e shpejtë të kredisë në shumë vende të rajonit, autoritetet e tyre mbikëqyrëse po monitorojnë nga afër zhvillimet në këtë fushë, me qëllim ruajtjen e cilësisë së portofolit të kredisë së bankave dhe të stabilitetit financiar. Gjithashtu, është e rëndësishme që mjaft vende të rajonit të forcojnë politikat reformuese makroekonomike dhe strukturore, me qëllim mbajtjen nën kontroll të presioneve inflacioniste dhe të zhbalancimeve në llogarinë e jashtme korrente. Deficitet e mëdha në llogarinë korrente, veçanërisht nëse ato pasqyrojnë kursime të ulëta në vend të investimeve të frytshme, mund të ulin mundësitë për rritje ekonomike dhe besimin e investitorëve.

Guvernatorët e bankave qendrore vendosën përshpejtimin e zbatimit të Memorandumit të përbashkët të Mirëkuptimit, me qëllim arritjen e konvergimit të praktikave mbikëqyrëse, duke përfshirë ato që lidhen me pastrimin e parasë dhe me financimin e terrorizmit, si dhe me vlerësimin e rrezikut. Për të arritur këtë, do të vijnë në ndihmë përvoja e fituar nga zbatimi i kuadrit përkatës të Bashkimit Evropian, si dhe parimet e vendosura nga Komiteti i Bazelit mbi mbikëqyrjen bankare, ndërkohë që do të vijojnë të respektohen marrëveshjet kombëtare institucionale dhe ligjore.

Në këtë takim, u ra dakord që çështjet me përparësi të lartë do të jenë identifikimi i atyre fushave ku duhet arritur konvergimi i praktikave mbikëqyrëse, kryerja e inspektimeve të përbashkëta të institucioneve financiare rajonale, si dhe vlerësimi i përbashkët i stress-test-eve që po kryhen në çdo vend.