BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit Fullani "Në Bankën e Shqipërisë: Të mësosh nëpërmjet punës" me studentët praktikantë në Bankën e Shqipërisë

Data e publikimit: 29.07.2008

 

Banka e Shqipërisë është një institucion relativisht i ri, por ndoshta një nga më të suksesshmit në drejtim të arritjes së objektivave të saj ligjorë, të përfaqësimit në nivel ndërkombëtar, të bashkëpunimit me institucione të tjera brenda e jashtë vendit. Kyçi i këtij suksesi i dedikohet kryesisht burimeve njerëzore të saj, të cilat punojnë me filozofinë " profesionalizëm, përkushtim, bashkëpunim dhe integritet".

Në frymën e kësaj filozofie, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka zhvilluar një takim me studentët që kryejnë praktikën mësimore pranë Bankës së Shqipërisë, sot në datë 29 korrik 2008. Kryerja e praktikës mësimore në Bankën e Shqipërisë është kthyer tashmë në një traditë të rregullt, duke e shndërruar atë në një institucion të hapur për të gjithë studentët shqiptarë që studiojnë brenda dhe jashtë vendit. Në këto 3 vitet e fundit, numri i përgjithshëm i studentëve praktikantë në Bankën e Shqipërisë ka arritur në 70, me një dyfishim krahasuar me vitet e mëparshme.

guvernatori ne takimin 3

Përveç adoptimit të politikave moderne të punësimit, kryerja e praktikës mësimore pranë Bankës së Shqipërisë, është gjithashtu një mjet për të përthithur burime të reja njerëzore. Kjo traditë e Bankës së Shqipërisë njëkohësisht nxit studentët për studime dhe përmirësim profesional të mëtejshëm, duke i hapur rrugën e punësimit të tyre si në Bankën e Shqipërisë ashtu edhe në sistemin bankar shqiptar.

Praktika mësimore pranë Bankës së Shqipërisë është vetëm një ndër iniciativat që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë vitet e fundit për të afruar studentët sa më pranë saj. Leksionet e Guvernatorit në universitete brenda dhe jashtë vendit, Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë, Konkursi midis shkollave të mesme "Vlera e vërtetë e parasë", janë disa nga aktivitetet që Banka e Shqipërisë ka zhvilluar vitet e fundit për të nxitur nxënësit dhe studentët për të njohur punën e Bankës së Shqipërisë më nga afër.

Gjatë takimit, studentët praktikantë kanë vlerësuar këtë iniciativë të Bankës së Shqipërisë si një mënyrë për t'u specializuar në fushën e bankingut qendror si dhe një mundësi e mirë që i ndihmon ata në punësimin e tyre të ardhshëm. Banka e Shqipërisë ju ofron atyre një model për t'u ndjekur në drejtim të përkushtimit në punë, komunikimit të duhur njerëzor, etikës profesionale etj.