BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit Sejko me përfaqësues të BERZH

Data e publikimit: 25.03.2024

 

Sot më 25 mars 2024, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, priti në një takim përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kryesuar nga z. Piotr Jacek Szpunar, Drejtor rajonal për Poloninë, Bullgarinë dhe Shqipërinë, si dhe zj. Ekaterina Solovova, Përfaqësuese Rezidente e BERZH-it në Shqipëri. Në takim merrnin pjesë dhe përfaqësues të tjerë të Bankës së Shqipërisë.

 DSC3102-498

Fillimisht, Guvernatori Sejko vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të vendit tonë me BERZH-in dhe i falënderoi përfaqësuesit e tij për kontributin e çmuar që ai ka dhënë për Shqipërinë, si një ndër investitorët më me peshë, falë të cilit janë realizuar projekte shumë të rëndësishme për sistemin bankar. 

Ai shprehu në veçanti mirënjohjen për kontributin dhe mbështetjen që BERZH-i ofron në vazhdimësi për Bankën e Shqipërisë, së fundmi edhe në fushën e mbikëqyrjes bankare, nëpërmjet asistencës teknike lidhur me vetëvlerësimin e përputhshmërisë me standardet evropiane.

 DSC3078 498

Më tej Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të zhvillimeve më kryesore ekonomike dhe financiare të vendit tonë gjatë viteve të fundit, duke theksuar se pavarësisht goditjeve të tërmetit dhe pandemisë, pasigurive të shtuara dhe sfidave të ndryshme si rritja e çmimeve, Shqipëria shënoi rimëkëmbje ekonomike mjaft të shpejtë.

Një rol të veçantë pati koordinimi midis autoriteteve kryesore dhe masat e ndryshme të cilat ndihmuan në kapërcimin e kësaj situate me sa më pak efekte negative dhe mosndikimin afatgjatë në zhvillimin e vendit.

 DSC3097-498

Guvernatori theksoi se inflacioni ka qenë në qendër të vëmendjes të Bankës së Shqipërisë dhe se politikat monetare dhe ato ekonomike të ndjekura kanë ndihmuar në ruajtjen e një niveli të ulët inflacioni krahasuar me vendet e rajonit dhe në uljen e pasigurisë. Këto politika të ndjekura nga Banka e Shqipërisë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në drejtim të forcimit të stabilitetit monetar e financiar të vendit. 

Gjatë takimit, përfaqësuesit e BERZH-it rikonfirmuan mbështetjen që ky institucion do të vijojë të japë për Shqipërinë, veçanërisht për zhvillimin e energjisë së rinovueshme dhe sektorëve të turizmit dhe bujqësisë në Shqipëri, së bashku me BE-në dhe partnerë të tjerë. Një shembull mjaft i mirë është lehtësimi i financimit të ekonomisë së gjelbër, përmes të cilit BERZH-i ka mbështetur kreditimin e bankave për sektorin rezidencial për investime në përmirësimin e eficiencës së energjisë.

 DSC3155-498

Ata u ndalën gjithashtu në rolin që Banka e Shqipërisë ka në cilësinë e Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, duke e cilësuar atë si një nga më të avancuarit në Ballkanin Perëndimor.

 DSC3188-498

Ata gjithashtu u shprehën se trendi forcues i kursit të këmbimit është në linjë me përmirësimet strukturore në balancat e jashtme të ekonomisë shqiptare. Në këtë kontekst, ata theksuan përfitimet që ka ekonomia shqiptare nga regjimi i lirë i kursit të këmbimit.

 DSC3175-498

Përfaqësuesit e BERZH-it vlerësuan bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë, si një partner serioz që ka dhënë një vlerë të shtuar për zbatimin e suksesshëm të projekteve të tyre në fushën bankare dhe u shprehën të gatshëm të vijojnë bashkëpunimin në fusha si mbikëqyrja bankare, ndërhyrja e jashtëzakonshme dhe operacionet monetare.