BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit Sejko me profesionistët e rinj, pjesëmarrës të Programit LEAD Albania 2021

Data e publikimit: 23.06.2021

 

Më datë 23 qershor 2021, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko zhvilloi një takim me pjesëmarrësit e Programit LEAD Albania 2021* të organizuar nga Fondacioni-Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Programi LEAD Albania.

Qëllimi i programit  është që t’u sigurojë pjesëmarrësve, të cilët janë profesionistë të rinj dhe të talentuar shqiptarë, përvoja të drejtpërdrejta në procesin e qeverisjes së Shqipërisë.  Përvoja pasurohet me një komponent edukimi, në kuadër të të cilit pjesëmarrësve të Programit u jepet mundësia për t’u njohur dhe për t’u takuar me udhëheqës të nivelit të lartë nga sektori publik dhe privat, diplomatë etj.

 DSC5859 498

Nga ky këndvështrim, takimi i sotëm pati një vlerë të shtruar për pjesëmarrësit.  Atyre ju dha mundësia të mësojnë më shumë nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë si drejtuesi i një prej institucioneve qendrore të nivelit të lartë në vend, nga sukseset dhe sfidat e karrierës së tij.

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko prezantoi misionin, objektivat, vizionin, vlerat, rolin dhe rëndësinë e institucionit të Bankës së Shqipërisë si bankë qendrore. Ai theksoi se vizioni i Bankës së Shqipërisë është qeverisja e mirë, përmes forcimit të pavarësisë, rritjes së llogaridhënies e transparencës, me qëllim rritjen e besimit të publikut tek institucioni.

 DSC6221 498

Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë ka si objektiv kryesor arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Nëpërmjet arritjes së këtij objektivi, Banka e Shqipërisë ndihmon në krijimin e premisave të duhura për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike të vendit, të punësimit dhe të mirëqenies, ruan vlerat e kursimeve, si dhe ndihmon stabilitetin e zhvillimin e sistemit financiar. Përmbushja e objektivit realizohet nëpërmjet hartimit dhe zbatimit në mënyrë të pavarur të politikës monetare.

Si emetuese e monedhës kombëtare, Banka e Shqipërisë nxit funksionimin normal të sistemit të pagesave me synim: sigurimin e qarkullimit të sigurt, të shpejtë dhe me  kosto  të  ulët  të  parasë  në  ekonomi;  parandalimin  e  rrezikut  sistemik;  dhe  ruajtjen e stabilitetit të institucioneve dhe tregjeve financiare.

Banka e Shqipërisë promovon stabilitetin e sistemit financiar - besimin publik tek institucionet, tregjet dhe infrastruktura financiare - duke rregulluar, licencuar dhe mbikëqyrur  bankat  dhe  institucionet  e  tjera  financiare,  si  dhe  duke  identifikuar  dhe analizuar rregullisht rreziqet dhe kërcënimet ndaj stabilitetit financiar.

Gjithashtu,  një vëmendje të veçantë i kushton edhe edukimit financiar të publikut, ku nëpërmjet programeve edukuese synon kultivimin dhe përforcimin e  kulturës financiare në shoqërinë shqiptare.

Në vijim Guvernatori u shpreh se si një ndër institucionet më të rëndësishme në vend, Banka e Shqipërisë i ofron mundësi unike të zhvillimit profesional punonjësve të saj në fusha të ndryshme të aktivitetit të përditshëm , duke zhvilluar  aftësitë e tyre teknike, përmirësuar cilësinë e punës, si dhe duke përsosur punën në grup. Institucioni u mundëson punonjësve orientimin drejt teknikave dhe metodologjive të bazuara në analiza rigoroze dhe diskutime profesionale, sipas praktikave më të mira të bankave qendrore evropiane.

Për studentët dhe të sapo diplomuarit Banka mundëson kryerjen e  praktikave mësimore,  nëpërmjet  programeve specifike të formimit, apo përfshirjes në projekte të veçanta të saj. Këto praktika mësimore synojnë përcjelljen e një modeli njerëzor e profesional në forcimin e karrierës.

Takimi përfundoi me një sesion pyetje – përgjigjesh gjatë të cilit pjesëmarrësit patën mundësi të merrnin informacione nga Guvernatori në formën e një bashkëbisedimi.

*Programi LEAD Albania (Leadership ExperienceAnd Development) zbatohet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) që nga viti 2013. Programi është konceptuar bazuar në Programin e Shtëpisë së Bardhë për Lidershipin, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qëllimi i Programit në Shqipëri është që t’u sigurojë profesionistëve të rinj dhe të talentuar shqiptarë përvoja të drejtpërdrejta në procesin e qeverisjes së Shqipërisë, shoqëruar nga një ndjesi e përfshirjes personale në lidershipin e shoqërisë nëpërmjet një përvojë një-vjeçare, që e vendos përfituesin në një pozicion shumë të lartë në institucione shtetërore. Individëve të përzgjedhur u ofrohet mundësia për të punuar në pozicione të larta si pjesë e stafeve drejtuese në institucione si Kryeministria, Institucioni i Presidentit, Ministritë dhe Bashkia Tiranë.