BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani, me Guvernatorin e Bundesbankut të Republikës Federale të Gjermanisë, Prof. Weber, dhe me zyrtarë të lartë të Bankës Gjermane për zhvillim KFW dhe bashkëpunimit teknik gjerman GTZ

Data e publikimit: 06.05.2005

 

Gjatë javës së parë të majit 2005 Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani zhvilloi një sërë takimesh në Frankfurt të Gjermanisë.

Takimi me Guvenatorin e Bankës Qendrore, Prof. Weber dhe dy anëtarë të Bordit drejtues të Bankës u zhvillua në një frymë mikëpritëse dhe bashkëpunimi për të ardhmen.

Prof. Weber tha se Shqipëria është një vend që ka bërë përpara në reformat ekonomike dhe të zhvillimit bankar në veçanti, por ka akoma për të bërë në reformat strukturore. Kështu u diskutua gjerësisht mbi zhvillimet e tregut financiar dhe bankar në vend, sidomos përsa i përket kreditimit të ekonomisë dhe rritjes së produkteve bankare. Në këtë koncept merr një rëndësi mjaft të veçantë mbikëqyrja bankare në Bankën Qendrore. Rritja dhe zhvillimi i sistemit bankar dhe i kreditit kërkon ngritjen në një shkallë më të lartë të mbikëqyrjes bankare për të paraprirë çdo lloj situate.

Z. Fullani theksoi se në fazën aktuale një rëndësi e veçantë do ti jepet sistemit të pagesave në mënyrë që pagesat të kryhen nëpërmjet bankave. Për këtë është e rëndësishme të ndërtohet infrastruktura e pagesave, proces në të cilin Banka e Shqipërisë ka një rol parësor, por njëkohësisht duhet nxitur edhe më tepër bashkëpunimi midis bankave dhe biznesit. Gjithashtu e rëndësishme është që publikut të gjerë t'i krijohen të gjitha parakushtet dhe lehtësitë përkatëse që të ftohet në sistemin bankar e të përdorë shërbimet bankare në punët e përditshme. Në këte kuptim rritja e gamës dhe larmisë së produkteve bankare si dhe prania e sistemit bankar në të gjithë vendin bëhet e domosdoshme. Sistemi bankar duhet të jetë prezent në çdo qelizë të jetës së vendit, duke ofruar për popullatën shërbime bankare me kosto sa më kompetitive.

Gjatë takimit u shkëmbyen mendime rreth përdorimit të kartave të kreditit dhe u pranua që mjet mjaft efektiv në nxitjen e përdorimit të pagesave dhe të uljes së ekonomisë informale mbetet zhvillimi i kartave të kreditit.

Përsa i përket sistemit financiar, u theksua se duhen krijuar të gjitha parakushtet si domosdoshmëri për rritjen ekonomike të vendit, në mënyrë që ai të zhvillohet. Një rëndësi shumë të veçantë merr hapja e tregjeve dhe ristrukturimi i kompanive financiare dhe atyre të kreditimit nëpërmjet rregullimit të bazës ligjore për kthimin e këtyre institucioneve në institucione të vërteta financiare të mbikëqyrura nga Banka Qendrore.

Gjithashtu rritja dhe zgjerimi i tregut të bonove të thesarit, pjesëmarrja e bankave në tregun primar dhe sekondar, do ta bëjë këtë treg më eficent, më të përdorueshëm dhe do të hapë premisa për nxitjen e rolit të ndërmjetësimit financiar. Kështu do të kemi më shumë konkurrencë, produkte bankare dhe padyshim mekanizmi i transmisionit të politikës monetare do të jetë më efektiv.

Një rëndësi mjaft e veçantë në diskutim iu kushtua statistikave dhe kërkimeve. Ideja është të ndërtohen statistika sa më të qarta të prodhuara nga vetë Banka Qendrore, që do të jenë baza për gjykimin e politikës që ajo vetë ndërton. Kjo nënkupton që përveç konsolidimit të mëtejshëm të statistikave monetare dhe financiare, Banka e Shqipërisë duhet të fillojë të mendojë për ngritjen e statistikave të ekonomisë reale duke përfshirë edhe metoda statistikore të tilla si vrojtimet.

Guvernatori Fullani u mbështet nga Guvernatori Weber në idenë që degët e Bankës së Shqipërisë të shndërrohen në qendra të fuqishme të informacionit statistikor për të gjithë rajonin ku ato operojnë. Kjo do të mundësonte që Banka e Shqipërisë të kishte një përfytyrim më të qartë jo vetëm për zhvillimin ekonomik në përgjithësi por edhe për tendenca e zhvillime specifike lokale dhe rajonale.

Në këtë kontekst, kërkimet marrin një rol të dorës së parë. Kërkimet duhet të jenë plotësisht eficente, të zbatueshme dhe të përfshihen në jetën e përditshme të Bankës së Shqipërisë në lidhje me strukturën organizative. Gjithashtu puna kërkimore duhet t'i paraprijë zhvillimeve ekonomike, ajo duhet të jetë ushqim kryesor për procesin e vendimmarrjes, kryesisht nëpërmjet rritjes së fuqisë parashikuese në lidhje me zhvillimet e ardhme ekonomiko-financiare të vendit.

Një çështje mjaft e rëndësishme diskutimi, mbi të cilën u shkëmbyen mendime ishte edhe përmirësimi i mëtejshëm i qeverisjes së Bankës së Shqipërisë. U gjykua që në fazën e deritanishme Banka e Shqipërisë përveç përmirësimit të bazës ligjore të mbikëqyrjes bankare, të shohë me prioritet edhe përmirësimet në qeverisje. Kjo gjë do të mundësojë konsolidimin e mëtejshëm të Bankës së Shqipërisë dhe bërjen sa më efektive, transparente dhe të kuptueshme të vendimarrjes së saj në lidhje me politikën monetare.

Prof. Weber mbështeti inisiativën e Guvernator Fullanit për organizimin e një forumi të hapur në Dhjetor të këtij viti, ku do të diskutohen çështje të qeverisjes së Bankës së Shqipërisë në përputhje me integrimin Evropian të vendit. Duke parë rëndësinë e këtyre çështjeve, Prof. Weber konstatoi se këto janë sfida të mëdha dhe ai mori angazhim që në bashkëpunim me Bankën Qendrore Evropiane (ECB) dhe Komisionin Evropian të mbështësë këto zhvillime duke u konsideruar një partner potencial afatgjatë.

Një çështje tjetër ku u përqendrua biseda ishte edhe bashkëpunimi rajonal. Fakti që ekziston një grup vendesh me shanse pak a shumë të njëjta, gjithashtu me distanca të njëjta në kohë nga anëtarësimi në BE, e bën të domosdoshëm bashkëpunimin në shkallë të gjerë midis institucioneve kryesore të këtyre vendeve.

Ndërsa në nivel teknik, takimet e disa zyrtarëve të Bankës së Shqipërisë u konkretizuan me hedhjen e hapave të para drejt bashkëpunimit dhe ofrimit të asistencës teknike në nivel binjakëzimi të Bankës së Shqipërise dhe Bundesbankut në të ardhmen.

Gjatë takimeve të tjera me zyrtarë të lartë të KFW (Banka Gjermane për Zhvillim) dhe GTZ (Bashkëpunimi Teknik Gjerman), e cila aktualisht ka një projekt me Bankën e Shqipërisë në lidhje me përafrimin e saj drejt Sistemit të Bankave Qendrore Evropiane, u diskutua në lidhje me asistencën teknike dhe njëkohësisht për zhvillimin e sektorit bankar e financiar me asistencë në fushën e legjislacionit.

Asistenca e KFW do të shtrihet më tej në sistemin bankar në konsolidimin e institucioneve bankare, por edhe në krijimin e një mundësie për fonde afatgjatë në të ardhmen.