BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me Zëvendësguvernatorin e Bankës Kombëtare të Maqedonisë

Data e publikimit: 11.02.2004

 

Ditët e fundit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Z.Shkëlqim CANI zhvilloi disa takime me autoritete të Bankës Kombëtare të Maqedonisë dhe Universitetit të Tetovës.

Në takimin me z. Fatmir Besimi, zv.Guvernator i Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë u diskutuan një sërë çështjesh të bashkëpunimit mes dy autoriteteve qendrore monetare.

Në temat kryesore të bisedimeve ishte inspektimi dhe mbikëqyrja bankare ku përfshihet i gjithë sistemi bankar dhe shoqëritë financiare. Shqipëria dhe Maqedonia kanë përfaqesitë të të njëjtave degë të bankave, ndaj dhe duhet të shikohen mundësite praktike të përbashkëta të inspektimeve dhe mbikëqyrjes.

Organizimi i seminareve dhe konferencave të përbashkëta me karakter rajonal dhe tematikë shkencore mbi bankingun qendror dhe ekonominë në përgjithsi ishte një nga konlkudimet e vizitës së Guvernatorit në Maqedoni. Banka e Shqiperisë dhe Banka Kombëtare e Maqedonisë mund të organizojnë seminare kualifikuese në vendet respektive, sidomos kur ata janë të mbështetura apo të bashkëinicuara nga organizma ndërkombëtare si FMN, BB, USAID, BIS Basel etj.

Fushata e zëvendësimit të cash me mjete alternative pagesash po zhvillohet njëkohësisht në dy vendet tona, dhe eksperienca e Maqedonisë mund dhe duhet të na shërbejnë si "eksperiencë" në fushatën e Bankës së Shqipërise për reduktimin e "cash"-it, u shpreh Guvernatori Cani.

Nga ana e tij, zv.Guvernatori i Bankës Kombëtare të Maqedonisë, z.Besimi u shpreh se "mjaft nga këto cështje janë në fazën e realizimit në Maqedoni, por jo pa probleme dhe rezultatet nuk kanë ardhur në kohën dhe masën e parashikuar".

Bashkëbiseduesit ranë dakort edhe për bashkëpunimin në fushën e statistikave dhe shkëmbimit të informacionit mes autoriteteve monetare të të dy vendeve tona. Sipas Guvernatorit Cani "në Maqedoni ka investime të huaja direkte nga Shqipëria dhe anasjelltas të cilat mund të njihen e studiohen për efekt të statistikave të bilancit te pagesave dhe studimesh nga dy autoritetet qendrore monetare. Gjithashtu, bashkëpunimi mund të shtrihet edhe në fushën e rezultateve të priturave dhe të arritura të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, të cilat mund t'i "nënshtrohen" analizave të përbashkëta".

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë dhe Banka Kombëtare e Maqedonisë do të punojnë për përgatitjen dhe publikimin e studimeve/analizave dhe survejimeve të përbashkëta si për ecurinë e politikës monetare, sistemin bankar e financiar në përgjithsi, bashkerendimit të politikës monetare me atë fiskale, shkëmbimin e eksperiencës së mënyrave të organizimit dhe funksionimit të bankave qendrore, ligjit bankës qëndrore, ligjin për sistemin bankar, etj

Çështje e diskutuar në këtë takim ishte edhe bashkëpunimi në kuadër të procesit të integrimit evropian e në mënyrë të veçantë liberalizimit të llogarisë kapitale.

Pas konkludimit të bisedimeve, z.Cani ftoi Guvernatorit dhe Zv.Guvernatorin e Bankës Kombëtare të Maqedonisë për te vizituar Shqipërinë në një kohë mundësisht sa më të shpejtë .