BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, me gazetarë, analistë dhe drejtues të mediave

Data e publikimit: 22.12.2009

 

Me rastin e mbylljes së vitit Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani ka zhvilluar një takim me gazetarë të njohur të shtypit të shkruar dhe asaj elektronike, analistë të politikës dhe të ekonomisë, drejtues dhe përfaqësues të tjerë të mediave në Shqipëri.

Me këtë rast, Guvernatori i përcolli të pranishmëve urimet më të ngrohta, duke vlerësuar punën e gazetarëve për kontributin e rëndësishëm që ata kanë dhënë në përcjelljen e mesazheve të Bankës së Shqipërisë.

Në fjalën e tij, Guvernatori ka bërë një ekspoze të ekonomisë shqiptare, duke theksuar se 2009 ishte një vit, i cili u karakterizua nga shumë ngjarje përfshirë këtu edhe krizën globale. Ai theksoi se falë punës së bërë nga Banka e Shqipërisë është bërë e mundur ruajtja dhe konsolidimi i stabilitetit makroekonomik të vendit si dhe i qëndrueshmërisë financiare të sistemit bankar.

Përveç kontributit të saj në ruajtjen dhe konsolidimin e stabilitetit makroekonomik të vendit, Banka e Shqipërisë është përfshirë edhe në shumë projekte të tjera, të cilat kanë një vlerë specifike të shtuar për gjithë shoqërinë shqiptare.

Edukimi i publikut ka qenë në qendër të angazhimeve institucionale të Bankës së Shqipërisë. Edukimi i brezit të ri me një kulturë ekonomiko-financiare përbën një sfidë, aq më tepër në një vit të vështirë si ky që sapo lamë pas. Si rrjedhojë, edukimi i publikut dhe dialogu me grupet e interesit do të jenë në fokus të punës së përditshme të Bankës së Shqipërisë. “... Edukimi kushton, por është i paçmueshëm. Investimi në edukim dhe në rritjen e profesionalizmit është investimi më i mirë që mund të bëjmë së bashku për të ardhmen e vendit.” – është shprehur Guvernatori.

Në këtë takim, z. Fullani prezantoi dhe kalendarin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2010. Ky botim i ri është një iniciativë e re e Bankës së Shqipërisë për të promovuar trashëgiminë antike kulturore të vendit si brenda ashtu dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Kalendari i vitit 2010 është konceptuar si një kthim prapa në kohë, ku bukuritë mahnitëse natyrore të vendeve antike të zbuluara në Shqipëri përkojnë me monedhat përkatëse të ekspozuara në këtë kalendar.

Në vazhdën e kësaj iniciative, Guvernatori ka prezantuar edhe ambientet e rikonstruktuara të Institutit të Kërkimeve të Bankës së Shqipërisë në qytetin e Beratit. Kjo qendër, e cila do të inaugurohet së shpejti, mishëron të gjithë arkitekturën karakteristike të lagjes “Mangalem“ të qytetit të Beratit, duke dhënë kështu një kontribut konkret dhe të prekshëm në ruajtjen dhe promovimin e vlerave historike të këtij qyteti të lashtë.

Në përfundim, Guvernatori shprehu besimin e tij se edhe në të ardhmen analiza dhe komentet mediatike do të vazhdojnë të jenë objektive dhe realiste. “ Media nëpërmjet mesazheve të saj ndihmon në konsolidimin e mëtejshëm të besimit të publikut mbi institucionet dhe infrastrukturën financiare të vendit”, – u shpreh Guvernatori Fullani.