BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, me gazetarë, analistë dhe drejtues të mediave

Data e publikimit: 31.12.2013

 

Në datë 20 dhjetor 2013, me rastin e mbylljes së vitit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, zhvilloi një takim me gazetarë të medias të shkruar dhe asaj elektronike, analistë të politikës dhe të ekonomisë, drejtues dhe përfaqësues të tjerë të mediave në Shqipëri.

Takimi u çel me fjalën e mbajtur nga Guvernatori Fullani, i cili iu përcolli të pranishmëve urimet më të përzemërta për një vit sa më të mbarë dhe të suksesshëm,si dhe vlerësoi rolin e gazetarëve dhe kontributin e tyre në përmbushjen e mandatit kryesor të Bankës së Shqipërisë,ruajtjes dhe garantimit të stabilitetit të çmimeve.

Gjatë takimit të fundvitit me median, Guvernatori Fullani prezantoi dhe kalendarin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2014, kushtuar produkteve bujqësore, duke theksuar rëndësinë që ka për ekonominë e vendit zhvillimi i sektorit të bujqësisë.

Në përfundim të aktivitetit Guvernatori Fullani ndau tre çmimet për fituesi te konkursit të hapur “Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë” 2013, të vlerësuar si më poshtë:

Çmimi i parë iu dha zj. Eda Dokle, nga Universiteti Charles, Republika Çeke, për temën e saj të masterit “Inflacioni i shënjestruar në ekonomi të dollarizuara”.

Çmimi i dytë iu dha z. Minella Kalluci, nga Universiteti i Boconit, Itali, për temën e tij të diplomës “Kritikat kryesore të agjencive të rankingut të kredive dhe përcaktuese të ratingut të borxhit sovran: Evidencë nga Eurozona”.

Çmimi i tretë iu dha z. Ergi Take, nga Universiteti i Tiranës, Fakulteti Ekonomik, për temën e tij të diplomës, mbi “Vlefshmërinë e Ligjit të Okun-it në ekonominë shqiptare (1980-2012)”. 

Ky konkurs i përvitshëm i dedikohet studentëve shqiptarë të diplomuar gjatë vitit brenda dhe jashtë vendit, për punë kërkimore-shkencore në çështje të lidhura me ekonomiksin monetar e ndërkombëtar, stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar, integrimin ekonomik të vendeve të Ballkanit në Evropë, veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, mbi sistemin financiar shqiptar, rolin dhe sjelljen e bankave në ekonominë shqiptare, si dhe çështje që kanë të bëjnë me aspekte të tjera makro dhe mikroekonomike të ekonomisë në përgjithësi.