BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PER SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko me Ambasadoren e Republikës së Greqisë në Tiranë, SH.S.Zj. Eleni Sourani
Data e publikimit: 27.12.2016
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim zyrtar në ambientet e Bankës së Shqipërisë, me Ambasadoren e Republikës së Greqisë në Tiranë, SH.S.Zj. Eleni Sourani.
Guvernatori Sejko e njohu Ambasadoren SH.S.Zj. Sourani me zhvillimet financiare në vend, ku nënvizoi se sistemi bankar shqiptar është i kapitalizuar, likuid dhe financiarisht i shëndetshëm. Ai u shpreh se institucioni që ai drejton do të vijojë të jetë i angazhuar në përmbushjen e misionit të tij, për qëndrueshmërinë e çmimeve të konsumit dhe stabilitetin financiar të vendit.
Biseda u përqendrua në marrëdhëniet dypalëshe në fushën ekonomike, ku Guvernatori Sejko theksoi se Greqia përbën një partner tregtar të rëndësishëm për Shqipërinë dhe bizneset greke kanë një traditë në Shqipëri të lidhur me sektorin bankar.
Më tej, Guvernatori Sejko e njohu Ambasadoren e Republikës së Greqisë në Tiranë, me rolin që luajnë bankat shqiptare me kapital grek në sistemin financiar shqiptar dhe shtoi se aktualisht, ato gëzojnë gjendje të shëndoshë financiare, likuiditeti dhe kapitalizimi.
Guvernatori Sejko siguroi Ambasadoren se Banka e Shqipërisë do të ofrojë mbështetje të plotë për sistemin bankar shqiptar, përfshirë dhe bankat shqiptare me kapital grek, në mënyrë që në të ardhmen e afërt ato të kthehen përsëri në parametrat historikë në lidhje me kreditimin e ekonomisë.
Bashkëbiseduesit diskutuan dhe mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe kryesisht, në fushën e sistemit financiar.
Nga ana e saj, Ambasadorja SH.S.Zj. Eleni Sourani, u shpreh se Greqia ka kaluar një periudhë të vështirë, por pritshmëritë për të ardhmen janë për një përmirësim të situatës ekonomike.
Ambasadorja e Republikës së Greqisë në Tiranë, SH.S.Zj. Eleni Sourani vlerësoi rolin e rëndësishëm të bankave shqiptare me kapital grek, duke nënvizuar se Greqia ka qenë vazhdimisht për vite me radhë investitori i parë i huaj në Shqipëri, si dhe një faktor nxitës i ekonomisë së vendit.
Greqia ka qenë një mbështetëse e fortë e përpjekjeve të Shqipërisë për të krijuar një mjedis të shëndetshëm biznesi, për të tërhequr investime të huaja të mëtejshme, për të forcuar rritjen ekonomike të vendit dhe se ajo mbështet Shqipërinë në rrugën e saj të anëtarësimit evropian.
Në këtë kuadër, Ambasadorja SH.S.Zj. Eleni Sourani, përgëzoi punën e bërë dhe mbështetjen e Bankës së Shqipërisë në drejtim të ruajtjes dhe garantimit të sistemit financiar në vend.