BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, me gazetarë, analistë dhe drejtues të medias

Data e publikimit: 22.12.2015

 

Në datën 22 dhjetor 2015, me rastin e mbylljes së vitit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim me gazetarë të medias së shkruar dhe asaj elektronike, analistë të politikës dhe të ekonomisë, drejtues dhe përfaqësues të tjerë të medias në Shqipëri.

Takimi u çel me fjalën e mbajtur nga Guvernatori Sejko, në qendër të së cilës ishte vlerësimi pozitiv i qëndrimit profesional dhe realist që media në përgjithësi ka mbajtur gjatë vitit 2015. Ai theksoi se mediat kanë përcjellë me transparencë dhe vërtetësi vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë në fushën e politikës monetare dhe në atë të stabilitetit financiar, e  për rrjedhim duke ndihmuar në përmbushjen e objektivave të Bankës së Shqipërisë. Në përfundim të fjalës së tij, duke shpresuar në një bashkëpunim dhe mirëkuptim më të mirë në vitin 2016, ai iu përcolli të pranishmëve urimet më të mira për një vit sa më të mbarë dhe të suksesshëm. 

I kthyer tashmë në një traditë, gjatë këtij aktiviteti u ndanë dhe tre çmimet për fituesit e konkursit të hapur "Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë 2014-2015".

1.  Me çmimin e parë u vlerësua zj. Ajla Ngjeliu, studente në University of Greenwhich, për temën "Përcaktuesit e strukturës së kapitalit për kompanitë e listuara në Ballkan", i cili iu dorëzua nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko. 

Kjo temë kontribuon në literaturën ekzistuese me një analizë mbi përcaktuesit e strukturës së kapitalit të kompanive në Ballkan. Studimi hulumton nëse struktura e kapitalit dhe sjellja e kompanive të listuara në Ballkan është në përputhje me teoritë e kapitalit për ekonomitë e zhvilluara. Gjithashtu, punimi synon të identifikojë ndryshimet në përcaktimin e strukturës së kapitalit, duke u ndalur gjithashtu në vlerësimin e diferencave që ekzistojnë ndërmjet grupit të kompanive që i përkasin Bashkimit Evropian dhe kompanive të tjera. Rezultatet e studimit tregojnë se përcaktuesit e kapitalit për kompanitë e rajonit tonë janë përfitueshmëria, madhësia e ndërmarrjes dhe kolaterali. Këto gjetje tregojnë se përcaktuesit e strukturës së kapitalit të kompanive që operojnë në Ballkan janë të ndryshëm nga ato të ekonomive të zhvilluara.

2.  Me çmimin e dytë u vlerësua z. Klajd Panariti, student në Università Commerciale Luigi Bocconi, për temën me titull "Të dhëna empirike mbi bashkimet dhe blerjet (Mergers & Acquisitions) në industrinë bankare gjatë periudhës së krizës financiare", i cili iu dorëzua nga Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Elisabeta Gjoni.

Tema analizon raste të M&A të sektorit bankar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar gjatë periudhës së krizës, për të parë nëse ato janë shoqëruar me krijim ose shkatërrim vlere. Treguesit e marrë në konsideratë janë treguesit ditorë për kthimin jonormal mesatar, kthimin jonormal mesatar kumulativ dhe rëndësitë statistikore përkatëse shtrirë në një interval 10-ditor, para dhe pas ndodhjes së ngjarjes. Rezultatet dëshmojnë se këto veprimtari janë shoqëruar kryesisht me shkatërrim vlere dhe janë bërë për arsye të nevojave urgjente për likuiditet, ndërhyrje qeveritare me qëllim shpëtimin e bankave përkatëse ose si pasojë e vlerësimeve minimale.

3.  Me çmimin e tretë u vlerësua z. Gentjan Çera, student në Universitetin Bujqësor të Tiranës, për temën "Vlerësimi mbi sektorin financiar në performancën ekonomike të Shqipërisë", i cili iu dorëzua nga Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj.

Ky studim përpiqet të vlerësojë ndikimin e sistemit financiar mbi performancën ekonomike. Tema ngre dy hipoteza të ndryshme, të cilat kanë në fokus rastin e Shqipërisë. Së pari, nëse kredia ndikon në performancën ekonomike dhe së dyti nëse ekziston një relacion ndërmjet zhvillimit financiar dhe rritjes ekonomike. Rezultatet dhe interpretimi i tyre janë brenda kontekstit të analizuar dhe mund të vlejnë edhe nga pikëpamja e politikëbërjes. Konkluzionet i bëjnë jehonë hipotezave të ngritura, ndërsa komentet përmbyllëse bazohen tek rezultatet e gjetura.

Ky konkurs i përvitshëm i dedikohet studentëve shqiptarë të diplomuar gjatë vitit brenda dhe jashtë vendit, për punë kërkimore-shkencore në çështje të lidhura me ekonomiksin monetar e ndërkombëtar, stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar, integrimin ekonomik në Evropë të vendeve të Ballkanit, veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, mbi sistemin financiar shqiptar, rolin dhe sjelljen e bankave në ekonominë shqiptare, si dhe çështje që kanë të bëjnë me aspekte të tjera makro dhe mikroekonomike të ekonomisë në përgjithësi.