BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, me gazetarë, analistë dhe drejtues të medias

Data e publikimit: 20.12.2018

 

Në datën 20 dhjetor 2018, me rastin e mbylljes së vitit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim me publicistë të njohur, analistë të politikës dhe të ekonomisë, gazetarë të njohur të shtypit të shkruar e medias elektronike dhe përfaqësues të medias në Shqipëri.

Takimi u çel me fjalën përshëndetëse të Guvernatorit Sejko, i cili falënderoi përfaqësuesit e medias për gatishmërinë, objektivitetin dhe seriozitetin e treguar në mbulimin dhe transmetimin në publik të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë përgjatë gjithë vitit 2018.

DSC 9362-2 498

Guvernatori nënvizoi se komunikimi për një bankë qendrore konsiderohet një proces mjaft i rëndësishëm, ndaj materializimi i vendimmarrjes së Bankës së Shqipërisë në fushën e politikës monetare dhe në atë të stabilitetit financiar, pa ndihmën dhe objektivitetin e medias do të ishte një mision i pamundur.

Ai u shpreh mirënjohës ndaj medias për rolin konstruktiv në përcjelljen e lajmeve mbi ekonominë, financat, paranë, sistemin bankar, inflacionin, qëndrueshmërinë financiare të vendit dhe rreziqet ndaj të cilave është e ekspozuar ekonomia e vendit.

Në mbyllje të fjalës së tij, Guvernatori Sejko garantoi se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë një institucion i hapur, ku mediat mund të gjejnë në vazhdimësi një dritare të hapur komunikimi për gjithë spektrin e lajmit ekonomik dhe financiar, bashkëkohor, profesional dhe të paanshëm.

DSC 9394-2 498

Gjatë këtij aktiviteti, u ndanë dhe tre çmimet e konkursit të hapur "Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë për vitin 2018". Ky konkurs organizohet çdo vit nga Banka e Shqipërisë dhe i dedikohet studentëve shqiptarë të diplomuar brenda dhe jashtë vendit, për punë kërkimore-shkencore në çështje të lidhura me integrimin dhe zhvillimin ekonomik, ekonomiksin monetar e ndërkombëtar, stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar, etj.

Me çmimin e parë u vlerësua zj. Migena Musli, studente në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, për temën “Investimet e huaja në Shqipëri. Rasti i burimeve natyrore si një mundësi investimi”, çmim i cili iu dorëzua nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko.

DSC 9356-2 498

Tema vlerëson se burimet e shumta natyrore dhe kuadri ligjor e financiar për investimet e huaja janë të favorshëm për të thithur më shumë investime të huaja. Përtej trajtimit teorik e krahasues, autori ka bërë një përshkrim të dokumentuar të burimeve natyrore dhe avantazheve të tyre për investitorët e huaj në rastin e Shqipërisë. Tema sjell një këndvështrim optimist dhe përçon një sinjal shprese, duke të kujtuar se Shqipëria është një vend i pasur dhe me potencial, që ka nevojë dhe pret të shfrytëzohet me përgjegjshmëri. 

Me çmimin e dytë u vlerësua z. Donald Vullnetari, student në Universitetin e Tiranës, për temën “Dinamika e inflacionit në perspektivën e kurbës Neo-Keynesiane të Phillipsit: Rasti i Shqipërisë”, çmim i cili iu dorëzua nga Anëtari i Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, z. Tonin Kola.

Tema është shkruar në mënyrë rigoroze dhe analizimi është bërë duke u mbështetur në literaturë të përshtatshme ekonomike. Për më tepër, vlerësimi i lidhjes bazohet në metodat e vlerësimit ekonometrik, duke adresuar problemet që lidhen me varësinë e ndërsjellë të treguesve dhe të specifikimit të saktë të modelit. Rezultatet tregojnë për një lidhje pozitive midis inflacionit dhe hendekut të prodhimit, si dhe evidentojnë faktin se pritjet inflacioniste janë backward-looking (përcaktohen nga e shkuara), ku e shkuara ka rëndësi për formimin e pritjeve të inflacionit në të ardhmen.

Me çmimin e tretë u vlerësua z. Klisman Ndoje, student në Universitetin Libre de Bruxelles, për temën “Albania: Transition from Equality to Inequality", çmim i cili iu dorëzua nga Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj.

DSC 9391-2 498

Varfëria dhe pabarazia janë dy tema kryesore që aktualisht dominojnë jo vetëm debatin ekonomik, por edhe atë politik e social. E nxitur nga aspektet apo efektet anësore të zhvillimit të shpejtë ekonomik si rezultat i globalizimit, tranzicionit apo fenomeneve të tjera, këto dy tema janë bërë një forcë lëvizëse me një ndikim të konsiderueshëm në ngjarjet politike e sociale. Tema ka një shtjellim të plotë dhe eficient të fenomenit, metodologjisë dhe rezultateve të paraqitura.