BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani me Misionin e Asistencës Teknike të FMN-së

Data e publikimit: 18.02.2004

 

Ditën e martë pasdite, datë 17 shkurt 2004, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani priti në një takim Misionin e Asistencës Teknike të Fondit Monetar Ndërkombëtar të kryesuar nga z.Karl Driessen.

Duke i falenderuar për asistencën e vazhdueshme dhe efektive për Bankën e Shqipërisë, Guvernatori Cani e njohu Misionin e FMN-së me sfidat kryesore të Bankës së Shqipërisë në fushën e politikës dhe operacioneve monetare, mbikëqyrjes bankare, kontabilitetit, zhvillimin e statistikave dhe teknologjisë së informacionit, integrimit evropian etj.

"Banka e Shqipërisë, - u shpreh Guvernatori, - po bën përgatitjet e saj për adoptimin e regjimit te ri te targetimit(shënjestrimit/pikësynimit) te inflacionit".

"Ndonëse realisht Banka e Shqipërisë gjatë viteve të fundit ka mbajtur normën vjetore të inflacionit brenda intervalit 2-4 për qind, kjo më shumë ka qenë çështje kredibiliteti sesa detyrim parësor i Politikës së saj Monetare. Gjithësesi, ekspertët e Bankës së Shqipërisë po bëjnë përpjekjet për arritjen e qëllimit të mësipërm në një periudhë afatmesme dhe në këtë kuadër asistenca teknike e Misionit do të ishte shumë e vlefshme", u shpreh z.Cani.

Një temë e rëndësishme e diskutimit të Guvernatorit me Misionin e FMN-së ishte edhe zhvillimi i një sistemi modern pagesash dhe reduktimi i përdorimit të "cash"(veprimeve me para në dorë) në ekonomi. Banka e Shqipërisë, u shpreh z.Cani, sapo ka përfunduar me sukses projektin e sistemit ndërbankar të pagesave me vlerë të madhe, të financuar nga Banka Botërore dhe që është vënë që nga data 30 janar e këtij viti. Synimi është zgjerimi cilësor i kapaciteteve operacionale për një shkëmbim efiçent dhe të sigurtë të vlerave monetare dhe ky është një ndër hapat kryesore të Bankës së Shqipërisë në thellimin e reformave financiare në Shqipëri, në forcimin e stabilitetit dhe rritjen e efiçencës së sektorit financiar dhe atij bankar në veçanti.

Në të njëjtën kohë, vijoi Guvernatori, projekti i sistemit të pagesave në vlerë të madhe, do të ndiqet nga një tjetër projekt për pagesat në vlerë të vogël dhe i gjithë ky evolucion në sistemin bankar do të gërshetohet me fushatën e Bankës së Shqipërisë për zëvendësimin e veprimeve në cash me transferta bankare.

Sistemi bankar, tashmë i privatizuar dhe me prezencën e një banke të njohur ndërkombëtarisht si Raiffeisen, duket se është i gatshëm të mbështesë nismën e Bankës së Shqipërisë për kanalizimin e parasë në sistemin bankar, jo vetëm me rritjen e numrit të degëve dhe produkteve bankare për klientët, por edhe me uljen e kostos së shërbimeve bankare.

Një argument tjetër i bisedës ishte edhe asistenca e Misionit në fushën e mbikëqyrjes bankare, zbatimit të standarteve ndërkombëtare të Kontabilitetit dhe Pagesave, aplikimit te standarteve te statistikave monetare, integrimit të Bankës së Shqipërisë në Sistemin Monetar Evropian etj.

Nga ana e tij z. Driessen, duke vlerësuar ecurinë e Bankës së Shqipërisë në zbatimin e programeve të asistencës së FMN-së u shpreh se Misioni gjatë qëndrimit të tij disa ditor do të asistojë Departamentet e Bankës së Shqipërisë në të gjitha çështjet dhe problemet që i shqetësojnë deri në detaje.

Guvernatori shprehu edhe një herë vlerësimet e tij për mbështetjen teknike të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe ftoi ekspertët e FMN-së të ishin kërkues në trajtimin e çështjeve deri në detaje me drejtuesit e Departamenteve dhe ekspertët e Bankës së Shqipërisë.