BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani, me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Data e publikimit: 14.04.2004

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani u takua sot paradite me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar të drejtuar nga z. Julio Escolano, shefi i ri i Misionit dhe i shoqëruar nga z.Jan Peter Olters, përfaqësues i përhershëm i FMN-së në Tiranë.

Tema kryesore e takimit i referohej zhvillimeve kryesore makroekonomike, politikës monetare, zhvillimeve sistemin bankar dhe në kursin e këmbimit, sistemin e pagesave ndërbankare etj..

Në fjalën e tij, Guvernatori Cani u shpreh se viti 2003 shënoi një normë inflacioni 3.3 për qind, brenda intervalit objektiv të deklaruar prej Bankës së Shqipërisë 2-4 për qind ndërsa rritja ekonomike e vlerësuar ishte rreth 6 për qind. Edhe parashikimet për vitin në vijim mbështeten në një normë inflacioni në intervalin e dëshiruar prej Bankës së Shqipërisë, 2-4 për qind dhe një rritje ekonomike rreth 6 për qind.

Sa i përket zhvillimeve në kursin e këmbimit, Guvernatori u shpreh se monedha vendase leku është mbiçmuar ndaj dollarit amerikan dhe monedhës së përbashkët, euro si pasojë kryesisht e diferencave që ekzistojnë mes normave të interesit në lekë dhe në valutë.

Një çështje tjetër e rëndësishme ishte edhe ecuria e sistemit bankar, sidomos pas privatizimit të Bankës së Kursimeve. Guvernatori u shpreh se "aktualisht sistemi bankar shqiptar paraqitet i konsoliduar dhe nuk ka kërcënime serioze. Në mbledhjen e sotme, Këshilli Mbikëqyrës do të diskutojë dy vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me kalimin e pronësisë së Bankës së Kursimeve nga Ministria e Financave te Raiffeisen Bank dhe lejimin e Bankës për rifillimin e procesit të kreditimit pas një ndërprerje rreth 6 vjeçare". Gjithësesi, vijoi z.Cani, Banka e Shqipërisë duke patur parasysh se ky privatizim pritet të sjellë ndryshime strukturore në sistem, do të ndjekë me kujdes zhvillimet dhe do t'i përmbahet me përpikmëri standarteve të mbikëqyrjes bankare sipas planit të zhvillimit të mbikëqyrjes, i cili është hartuar me asistencën e Bankës Botërore.

Në fjalën e tij, z. Cani e njohu Misionin edhe me ecurinë pozitive të projektit të pagesave ndërbankare në vlerë të madhe dhe angazhimin e Bankës së Shqipërisë, bankave të nivelit të dytë, Ministrisë së Financave dhe Bankës Botërore për realizimin gjatë vitit 2004 të projektit të pagesave ndërbankare në vlerë të vogël.

Fushata e zëvendësimit të cash-it(parasë në dorë) në ekonomi me transaksione bankare, ishte një tjetër argument i diskutuar gjatë në takimin me Misionin e FMN-së. Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë ka shprehur gadishmërinë e saj për ndërveprimin institucional kryesisht me Ministrinë e Financave dhe atë të Ekonomisë, mbështetur nga një infrastrukturë më e zhvilluar bankare nga bankat e nivelit të dytë, për realizimin me sukses të programit "Përtej parasë". Një nga hapat e parë të programit pritet të jetë edhe kalimi i pagesave të pagave të nënpunësve të sistemit publik dhe pagesat e faturave të kompanive publike nëpërmjet bankave.

Misioni I FMN-së vazhdon takimet në nivel teknik në Bankën e Shqipërisë deri me datë 28 prill 2004 kur do të zhvillohet edhe takimi përmbyllës.