BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani, me Presidentin e Export-Import Bank, z.Philip Merill

Data e publikimit: 24.05.2004

 

Sot paradite Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani priti në një takim një delegacion të bankës së njohur amerikane, EXIM (Export-Import) Bank të kryesuar nga Presidenti i saj, z. Philip Merrill dhe të shoqëruar nga Zv.Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, z.Steve Zate.

Tema kryesore e bisedimeve u përqëndrua në zhvillimet kryesore në ekonominë shqiptare, arritjet e Bankës së Shqipërisë, klimën për investime private dhe rolin e sistemit bankar në kreditimin e tij, projektet e mbështetura financiarisht nga Exim-Bank në Shqipëri, të ardhurat nga emigrantët etj..

"Ekonomia shqiptare në aspektet makroekonomike ka shënuar zhvillime pozitive dhe në këtë proces një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe sektori privat i cili ka patur edhe kontribut të pazëvendësueshëm në arritjen e një rritjeje ekonomike pozitive gjatë viteve të fundit", u shpreh z.Cani. Nga ana tjetër, vijoi Guvernatori, Banka Qëndrore me politikat e saj është munduar të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe avancimin e biznesit privat, në një kohë që bankat e nivelit të dytë kanë rritur ndjeshëm me 30-50% nga viti në vit kreditimin për këtë sektor.

Nga ana e tij, z. Merril, i cili viziton për herë të parë Shqipërinë, pasi vlerësoi punën e Bankës së Shqipërisë dhe arritjet evidente të saj, shprehu interes mbi standartet që zbatojnë bankat e nivelit të dytë dhe Banka e Shqipërisë në veprimtarinë bankare.

Z.Cani u shpreh se Banka e Shqipërisë zbaton në përgjithësi standartet ndërkombëtare të bankave moderne qendrore dhe kryesisht të Bankës Qendrore Evropiane drejt së cilës aspirojmë. Parimet dhe standartet që zbaton BSH lidhen me synimin për arritjen dhe mbajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe zhvillimin e një sistemi bankar sipas standarteve të bankingut modern, të sigurtë, të qëndrueshëm dhe të besueshëm etj..

Sa i përket klimës për investime private, vendase dhe të huaja në Shqipëri, Guvernatori u shpreh se vitet e fundit, megjithë problemet ekzistente, që shoqërojnë një vend në zhvillim, është përmirësuar ndjeshëm klima dhe infrastruktura për investime private në Shqipëri dhe në këtë aspekt një rol të rëndësishëm ka patur edhe mbështetja dhe "marketingu" pozitiv i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë.

Gjithashtu, vijoi z.Cani, projektet e mbështetura financiarisht dhe emri i mirë që gëzon në aspektin ndërkombëtar Exim-Bank, janë domethënëse për ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare dhe nxitëse të ardhjes së investitorëve të huaj në Shqipëri.

Remitancat, ose të ardhurat nga emigrantët, ishin çështja e fundit e diskutimeve në takimin e sotëm. "Të ardhurat nga amigrantët, që për vitin 2003 shënuan 780 milionë dollarë amerikanë, mbeten ende burime financiare të rëndësishme për Shqipërinë të cilat balancojnë deri diku deficitin në tregtinë e mallrave dhe të shërbimeve. Sa i përket mënyrës së transferimit, pjesa më e madhe e tyre kalojnë në cash dhe kalimi në të ardhmen nëpërmjet sistemit bankar do të jetë një nga argumentat e trajtimit të programit "Përtej parasë" që do të rifillojë së shpejti", konkludoi z.Cani.