BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani me përfaqësues të kompanisë së njohur Euro-Money

Data e publikimit: 04.03.2004

 

Sot paradite Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani u takua me z. Richard Ensor, Drejtor i Menaxhimit dhe dhe z. Martin Born, drejtor në kompaninë e publikimeve "Euromoney", autoritet i njohur në fushën e parashikimit të zhvillimeve të bankingut ndërkombëtar dhe tregut të kapitaleve.

Në fjalën e tij, Guvernatori bëri një paraqitje sintetike të zhvillimeve kryesore përgjithësisht ekonomike dhe veçanërisht të sistemit bankar për Shqipërinë gjatë vitit 2003 dhe parashikimeve për vitin në vazhdim.

"Privatizimi i Bankës së Kursimeve nga banka Raiffeisen ishte një process i suksesshëm për sistemin bankar shqiptar dhe inkurajues për nxitjen e investimeve të huaja strategjike në Shqipëri", u shpreh z.Cani.

"Aktualisht, vijoi Guvernatori, pas licensimit perfundimtar të një banke me kapital vendas, sistemi bankar regjistron 16 banka dhe është sektori më i reformuar, më i zhvilluar dhe më i konsoliduar në ekonominë e vendit sipas vlerësimit të institucioneve financiare ndërkombëtare, si FMN, BERZH etj. Por, gjithësesi Banka e Shqipërisë vazhdon të inkurajojë zgjerimin e aktivitetit bankar, uljen e kostove të transaksioneve bankare dhe shtimin e llojit të shërbimeve që ofrojnë bankat për klientët".

Ndërkohë, vijoi Guvernatori, Banka e Shqipërisë do të ripërfshihet në bashkëpunim me institucionet e tjera në një fushatë për promovimin e pagesave bankare dhe zëvendësimin e veprimeve me para në dorë, duke ndihmuar në këtë mënyrë në zhvillimin e sistemit bankar dhe ekonomisë formale në përgjithësi.

Përfaqësuesit e Euro Money e ftuan Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani të marrë pjesë në konferencën rajonale për Evropën Juglindore, "Konferenca e investimeve dhe financave rajonale", që do të mbahet në Duvronik të Kroacisë më 26-27 tetor 2004.

Në këtë conference, përfaqësues të rëndësishëm qeveritar, Guvernatorë të bankave qëndrore, përfaqësues të njohur të komunitetit të biznesit, sistemit bankar dhe financiar të rajonit do të diskutojnë për dy ditë me rradhë mbi zhvillimin financiare dhe investimet në rajon.

Në fund të takimit, Guvernatori vlerësoi rolin e Euromoney në procesin e publikimeve të raporteve të zhvillimeve financiare, parashikimin e trendit të bankingut ndërkombëtar dhe tregjeve të kapitalit dhe pikëvlerësimin për nivelin e riskut në vendet në zhvillim.

Z.Cani shprehu gadishmërinë e institucionit që drejton për thellimin e bashkëpunimit me synim një marketing më të mirë të ekonomisë shqiptare në tregjet rajonale dhe globale të kapitalit për tërheqjen e investitorëve potencialë për investime të huaja.