BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Z. Ardian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë me Z. Joaquin Almunia, Komisioner i Çështjeve Ekonomike dhe Monetare në Komisionin Evropian

Data e publikimit: 27.04.2005

 

Më datë 25 prill 2005, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, vizitoi Brukselin, ku dhe zhvilloi një takim me z. Joaquin Almunia, Komisioner i Çështjeve Ekonomike dhe Monetare në Komisionin Evropian.

Takimi u përqendrua në sfidat me të cilat përballet Shqipëria në kuadër të procesit të stabilizim-asociimit dhe më në veçanti, në rolin dhe kontributin e Bankës së Shqipërisë në këtë proces.

Fillimisht, z. Fullani bëri një përmbledhje të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë, e cila në cilësinë e institucionit vendimmarrës në fushën e politikave ekonomike dhe financiare, ka qenë pjesëmarrëse në negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Komunitetin Evropian.

Në vijim, z. Fullani bëri një ekspoze mbi zhvillimet e fundit makroekonomike ku përveç arritjeve theksoi edhe domosdoshmërinë për të thelluar reformat strukturore më tej. Gjithashtu, u theksua se konsolidimi makroekonomik i vendit për një periudhë të gjatë kohe ka krijuar premisa për akses më të madh të Shqipërisë në tregun ndërkombëtar.

Z. Fullani informoi z. Almunia në lidhje me disa projekte të Bankës së Shqipërisë ku gjykohet se kontributi i Komisionit Evropian është i domosdoshëm. Ndër këto projekte, veçohet modifikimi i bazës ligjore dhe rregullatore të Bankës së Shqipërisë dhe të sistemit bankar në përgjithësi, me synim përputhjen në maksimum të tyre me të gjitha kriteret dhe kushtëzimet që shoqërojnë periudhën para dhe pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Për këtë qëllim Banka e Shqipërisë nga fundi i këtij viti do të organizojë një debat të hapur publik në qendër të të cilit do të jenë disa çështje që kanë të bëjnë me qeverisjen e Bankës së Shqipërisë si dhe me marrëdhëniet institucionale të saj me sistemin bankar, me ekzekutivin shqiptar dhe me insitucionet e tjera në përgjithësi përfshirë dhe ato ndërkombëtare.

Në vijim, z. Fullani u ndal në nismat e fundit të Bankës së Shqipërisë në rafshin rajonal, ku në bashkëpunim edhe me Bankën Qendrore Evropiane është ideuar krijimi i një klubi rajonal të bankave qendrore, i cili do të nxiste më tej bashkëpunimin në Evropën Juglindore. Bankat qendore të rajonit, me ekspertizën e tyre si dhe me largpamësinë që karakterizon punën e këtyre institucioneve do të ishin kontribues të rëndësishëm në rrugën e vështirë drejt integrimit të rajonit tonë me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian.

Z. Fullani theksoi se megjithë specifikat e tyre, vendet e rajonit shquhen për një seri karakteristikash të përbashkëta, zgjidhja e të cilave do të jetë më e shpejtë në qoftë se veprohet në grup. Po kështu, prej Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë u hodh ideja se të gjithë projektet që financohen nga ana e Bashkimit Evropian duhet të jenë të koordinuara mirë dhe mundësisht t'i shërbejnë gjithë rajonit. Vetëm kështu do të rritet bashkëpunimi dhe do të shtohen mundësitë reale për një integrim të shpejtë të rajonit me Bashkimin Evropian.

Nga bashkëbiseduesit pati një mirëkuptim të plotë, ndërkohë që nga ana e tij, zoti Almunia theksoi rëndësinë e madhe që kanë zgjedhjet politike të këtij viti për ecurinë e mëtejshme të reformave në vend dhe qëndrimin e mëtejshëm të komunitetit ndërkombëtar ndaj Shqipërisë. Në përfundim, ai u shpreh se Komisioni Europian mirëpret dhe përkrah Bankën e Shqipërisë në ndërmarrjen e nismave të tilla që përputhen me kërkesat dhe kriteret për anëtarësim në Bashkimin Evropian.