BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Zëvendësguvernatores së Parë Minxhozi dhe homologes së Bankës Qendrore të Malit të Zi, në lidhje me bashkëpunimin rajonal në fushën e sistemeve të pagesave

Data e publikimit: 06.07.2021

 

Në datën 6 korrik 2021, Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë zj. Luljeta Minxhozi zhvilloi një takim me një delegacion të Bankës Qendrore të Malit të Zi, të kryesuar nga Zëvendësguvernatorja e kësaj banke, zj. Zorica Kalezić . Qëllimi i këtij takimi lidhej me nismën e nisur rishtazi për krijimin e një tregu të modernizuar rajonal të sistemeve të pagesave ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku përtej ndërveprimit më efikas në nivel rajonal do të synohet nxitja e procesit të integrimit me Bashkimin Evropian në fushën e pagesave.

Vlen të nënvizohet se kjo iniciative rajonale mbështetet nga Bashkimi Evropian, Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal dhe Banka Botërore, dhe synon krijimin e një tregu pagesash rajonal bazuar në eksperiencën evropiane të funksionimit të shërbimeve dhe sistemeve të pagesave në nivel ndërkufitar. Synime të tjera të kësaj iniciative janë zbatimi i mëtejshëm i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe integrimi i tregjeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian në këtë fushë.

 DSC7829 498

Në këtë kuadër, zj. Minxhozi nënvizoi rëndësinë e zhvillimeve të takimeve bilaterale midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë këndvështrim, takimi me delegacionin dhe Zëvendësguvernatoren e Bankës Qendrore të Malit të Zi i shërben realizimit të këtij projekti ambicioz, i cili kërkon një bashkërendim të përpjekjeve si në nivel legjislacioni ashtu edhe të zhvillimeve infrastrukturore në fushën e sistemeve të pagesave.

 DSC7735 498

Në vijim, Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë bëri një analizë të masave të ndërmarra deri më tani nga ana e Bankës së Shqipërisë dhe Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave në kuadër të modernizimit të tregut të pagesave me vlerë të vogël, bazuar kryesisht në praktikat më të mira evropiane. Këto masa, të konkretizuara në Strategjinë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023), synojnë të promovojnë një nga prioritetet e Bankës së Shqipërisë, atë të nxitjes së përfshirjes financiare dhe përdorimit të instrumenteve elektronike. Në këtë këndvështrim, zj. Minxhozi u shpreh se një nga arritjet kryesore për sa i përket zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023) është miratimi i ligjit “Për shërbimet e pagesave”.

 DSC7866 498

Zbatimi i ligjit në praktikë vlerësohet se jo vetëm do të digjitalizojë dhe modernizojë tregun e pagesave por njëkohësisht do të përafrojë dhe kuadrin rregullativ vendas me atë të Bashkimit Evropian për sa i përket integrimit në Tregun Unik të Pagesave në Euro-SEPA.

Përtej arritjeve të deritanishme, gjatë diskutimit vëmendje e veçantë i’u kushtua dhe projekteve të shlyerjes së pagesave në Euro dhe instant paymet të cilat vlerësohet se do të jenë nismat kryesore nga pikëpamja e zhvillimeve infrastrukturore për modernizimin e tregut rajonal dhe integrimit të tij. Në mbyllje, të pranishmit pohuan vijimin e diskutimeve në të ardhmen dhe koordinimin e përpjekjeve për arritjen e një përqasjeje të përbashkët dhe sa më efikase për përmbushjen e projekteve të synuara, si në nivel vendimmarrës ashtu edhe në atë teknik.