BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e tretë të Autoriteteve Mbikëqyrëse Bankare të Evropës Juglindore, Sofje, 3 tetor 2008

Data e publikimit: 03.10.2008

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Ardian Fullani mori pjesë në takimin e tretë të Autoriteteve Mbikëqyrëse Bankare të Evropës Juglindore, të zhvilluar në Sofje të Bullgarisë në datë 3 tetor 2008. Në këtë takim kanë marrë pjesë guvernatorët e bankave qendrore të Shqipërisë, Bullgarisë, Bosnje-Hercegovinës, Qipros, Republikës së Maqedonisë, të Greqisë, Malit të Zi, Rumanisë, të Serbisë, si dhe drejtuesit e agjencive bankare të Bosnje-Hercegovinës dhe të Republikës Serbe.

Gjatë takimit pjesëmarrësit kanë diskutuar mbi krizën financiare globale dhe ndikimet që ajo mund të shkaktojë në ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore. Në fjalën e tij, zoti Fullani vuri në dukje se bazat e ekonomisë shqiptare vazhdojnë të jenë të qëndrueshme dhe sistemi bankar në Shqipëri vazhdon të jetë i mirëkapitalizuar dhe likuid. Megjithatë, zhvillimet e fundit në tregun global diktojnë nevojën për një kujdes më të madh, në zhvillimin e ekuilibruar të veprimtarisë bankare. Shumë i rëndësishëm mbetet fakti që ekonomia jonë duhet të ruajë dhe të zhvillojë më tej faktorët që mbështesin rritjen ekonomike të vendit dhe stabilitetin makroekonomik të tij. "Vetëm një ekonomi e qëndrueshme krijon bazat e shëndosha për një aktivitet financiar efektiv dhe dobiprurës. Për këtë qëllim, thellimi i reformave strukturore mbetet një element thelbësor për çdo vend të rajonit", - tha në fund të fjalës së tij z. Fullani.

Bashkëlidhur gjeni edhe deklaratën e përbashkët për shtyp të lëshuar në përfundim të këtij takimi.