BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin konkludues të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim CANI me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Data e publikimit: 22.07.2003

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani zhvilloi sot takimin konkludues me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar që vizitoi Shqipërinë gjatë periudhës 14-22 korrik 2003. Misioni kryesohej nga z.Hossein Samiei dhe shoqërohej nga përfaqësuesi i Përhershëm i Zyrës së FMN-së në Shqipëri, z. Jan-Peter Olters.

Tema kryesore e takimit ishte diskutimi i dokumentit konkludues të Misionit i cili kryesisht përqëndrohet në vlerësimet për rritjen ekonomike, inflacionin, politikën monetare, reformat strukturore dhe politikën fiskale.

Lidhur me treguesin kryesor të zhvillimit ekonomik, të dy palët ranë dakort se norma e pritshme e rritjes së Produktit të Brendshëm Bruto(GDP) për vitin 2003 do të jetë reth nivelit 6 për qind.

Misioni i FMN-së vlerësoi politikën monetare të Bankës së Shqipërisë dhe mbajtjen e inflacionit në objektivat e paracaktuar prej 2-4 për qind.

Duke folur për politikën monetare të Bankës së Shqipërisë, Misioni i FMN-së vlerësoi hapat e deritanishëm të ndërmarra nga Banka e Shqpërisë në drejtim të zbutjes së politikës monetare nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit. Tendenca e bankave të nivelit të dytë ka qenë ulja e vazhdueshme e normave të interesit në ndjekje të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë.

Pas përfundimit të Misionit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani do të japë një Konferencë të përbashkët për shtyp me Shefin e Misionit të FMN-së z.Hossein Samiei dhe me Ministrin e Financave z.Kastriot Islami.