BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin përmbyllës të autoriteteve shqiptare me Misionin e FMN-së, në kuadër të rishikimit të katërt të marrëveshjes së Shqipërisë me FMN-në

Data e publikimit: 18.03.2015

 

Në kuadër të rishikimit të katërt të Marrëveshjes që Shqipëria ka me Fondin Monetar Ndërkombëtar, gjatë periudhës 4-17 mars 2015, misioni i FMN-së, i kryesuar nga z. Nadeem Ilahi, zhvilloi takime dhe konsultime të gjera me autoritetet shqiptare, palë në këtë marrëveshje. Takimi përmbyllës, i organizuar më 17 mars 2015, në ambientet e Bankës së Shqipërisë me pjesëmarrjen e Ministrit të Financave, z. Shkëlqim Cani, Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj, Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko dhe z. Nadeem Ilahi, Kryetar i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, u pasua nga konferenca e përbashkët për shtyp.

x dsc2647 7242 0

Të gjithë folësit në konferencë, evidentuan progresin e bërë në drejtim të stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit si dhe nënvizuan rëndësinë jetike të vazhdimësisë së reformave të ndërmarra.

Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko, ndër të tjera, prezantoi zhvillimet e sektorit financiar dhe u ndal më në veçanti tek reformat që do të ndërmerren në këtë sektor. Ai theksoi se sistemi bankar shqiptar është solid, likuid dhe i kapitalizuar mjaftueshëm për të zhvilluar funksionin e tij të ndërmjetësimit financiar. Nga ana tjetër, Guvernatori  u shpreh se politika monetare e Bankës së Shqipërisë do të vazhdojë të mbetet në kahun lehtësues.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, zoti Sejko konfirmoi se Banka e Shqipërisë po bashkëpunon ngushtë me Ministrinë e Financave dhe atë të Ekonomisë, si dhe me të gjitha institucionet e tjera, për përmirësimin e situatës së kredive me probleme. “Ka një angazhim shumë serioz të Bankës së Shqipërisë dhe Qeverisë Shqiptare. Kemi vendosur t’i japim zgjidhje përfundimtare çështjes së kredive me probleme, pasi vetëm në këtë mënyrë do të krijojmë sinergjinë e duhur për t’i dhënë një frymëmarrje të re procesit të kreditimit të ekonomisë”- theksoi  Guvernatori.

Në adresat e mëposhtme gjeni deklaratat për shtyp të mbajtura në këtë konferencë.