BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin teknik për nxitjen e bashkëpunimit rajonal në kuadër të Nismës së Vjenës II

Data e publikimit: 04.10.2013

 

Në datën 3 tetor 2013, Banka e Shqipërisë organizoi një takim teknik për nxitjen e bashkëpunimit rajonal në kuadër të Nismës së Vjenës II, ku ishin të ftuar drejtues nga banka qendrore të rajonit dhe më gjerë.

Ky takim i paraprin forumit të ardhshëm të Nismës së Vjenës II, punimet e të cilit pritet të zhvillohen së shpejti në Bruksel.

Gjatë takimit pjesëmarrësit diskutuan mbi efektet e uljes së levës financiare (deleveraging) në vendet e rajonit, mekanizmat që duhen zbatuar për të rikthyer mbështetjen e huadhënies ndaj ekonomisë së këtyre vendeve, si dhe rolin që autoritetet e Bashkimit Evropian dhe grupet bankare duhet të luajnë në këtë kontekst. Diskutimet u fokusuan dhe mbi efektet që pritet të ketë në ekonomitë e rajonit, kuadri i ri mbikëqyrës i Bashkimit Evropian. Në këtë aspekt, pjesëmarrësit i kushtuan një rëndësi të veçantë rritjes së bashkëpunimit ndërmjet vendeve pritëse jashtë Bashkimit Evropian,si dhe forcimit të aftësive të tyre negociuese kundrejt autoriteteve të Bashkimit Evropian.

Në fillim të vitit 2013, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani është zgjedhur anëtar i Komitetit Drejtues të Nismës së Vjenës II.

Në kushtet kur Shqipëria është i vetmi vend jo-anëtar i Bashkimit Evropian, që ka anëtarësi në Komitetin Drejtues të Nismës së Vjenës, ajo është angazhuar të përfaqësojë në këtë nismë edhe interesat e vendeve  të tjera joanëtare me shtrirje gjeografike në Evropën Qendrore dhe veçanërisht në atë Juglindore.  Qëllimi kryesor i takimit  ishte njohja më nga afër me propozimet e pjesëmarrësve, të cilat do të përcillen në forumin e ardhshëm të Nismës së Vjena II.

Nisma e Vjenës II vijon aktivitetin e saj mbi suksesin e Nismës së Vjenës I, krijuar në kulmin e krizës financiare globale të periudhës 2008/2009. Ajo vazhdon të përdorë platformën privat-publik, që mbledh institucione financiare ndërkombëtare të rëndësishme, Komisionin Evropian dhe institucione të tjera të BE-së, grupet bankare ndërkombëtare kryesore, si dhe autoritetet e vendeve të origjinës dhe pritëse, në plotësim të nismave të tjera.