BANKA E SHQIPËRISË

Informacion Sqarues
Mbi transferimin e fitimit të Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 24.01.2006

 

Ligji "Për Bankën e Shqipërisë" është ligji kryesor për organizimin dhe funksionimin e Bankës së Shqipërisë si banka qendrore në Republikën e Shqipërisë. Në kreun e dytë të këtij ligji me titull "Fondi themelor dhe përdorimi i fitimit" përcaktohet qartë mënyra e përdorimit të fitimit të Bankës së Shqipërisë.

Mbështetur në këtë ligj, në "Kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të punës të Bankës së Shqipërisë ", si dhe ligjin nr. 8379, datë 29.07.1998 "Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë", Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave kanë nënshkruar në datë 26.03.2003, një marrëveshje të përbashkët në lidhje me transferimin e fitimit. Sipas kësaj marrëveshjeje, transferimi i fitimit të Bankës së Shqipërisë bëhet me kërkesë të Ministrisë së Financave dhe jo më shpejt se data 7 (shtatë) e çdo muaji në formë paradhënieje. Transferimi fillon në muajin shkurt dhe përfundon në muajin janar të vitit pasardhës.

Rrjedhimisht, Banka e Shqipërisë në zbatim të kësaj marrëveshjeje ka kryer transferimin e 90 për qind të fitimit faktik sa herë kjo është kërkuar nga Ministria e Financave. Llogaria e qeverisë për vitin 2005 nuk është mbyllur ende dhe nuk mund të gjykohet për shumën përfundimtare, që Ministria e Financave si përfaqësuese e Qeverisë merr për llogari të vitit 2005. Banka e Shqipërisë do të transferojë diferencën nga fitimi i vitit 2005, brenda katër muajve nga mbyllja e vitit financiar 2005, i cili miratohet edhe nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.