BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi uljen e normës së remunerimit të rezervave të detyruara në monedhë të huaj

Data e publikimit: 29.04.2011

 

Në mbledhjen e tij të datës 27 prill 2011, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë në 0 (zero) për qind normën e remunerimit të komponentit në euro dhe të atij në usd të rezervës së detyruar. Ndërkohë, norma e remunerimit të komponentit në lekë të rezervës së detyruar mbetet e pandryshuar, në nivelin 70 për qind të normës bazë të interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të atyre anasjellta të riblerjes.

Ndryshimi i mësipërm në politikën e remunerimit do të thotë që Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të aplikojë të njëjtat norma të rezervës së detyruar (10% për të gjitha monedhat), por nuk do të paguajë interes mbi komponentin në euro dhe usd të kësaj rezerve. Ky vendim i shërben nxitjes së mëtejshme të ndërmjetësimit në lekë të sistemit bankar. Në këtë mënyrë, ai do të ndikojë në rritjen e efektivitetit të politikës monetare, si dhe në kufizimin e pasojave të padëshiruara për sistemin financiar dhe për ekonominë që mund të vijnë si rrjedhojë e përdorimit të valutës.

Sqarim teknik. Rezerva e detyruar është një instrument të cilin Banka e Shqipërisë e përdor për të rregulluar aktivitetin në tregun ndërbankar, për të administruar normat e interesit në të, si dhe për të kontrolluar qarkullimin e parasë në ekonomi. Norma e rezervës së detyruar është 10 për qind për depozitat e mbajtura në të gjitha monedhat. Kjo do të thotë se bankat e nivelit të dytë duhet të depozitojnë, në formën e rezervës së detyruar, pranë Bankës së Shqipërisë 10 për qind të vlerës së depozitave të marra nga klientët e tyre. Banka e Shqipërisë mund të paguajë interes për rezervën e detyruar të depozituar pranë saj nga bankat e nivelit të dytë.  Në gjuhën teknike, norma e interesit që Banka e Shqipërisë u paguan bankave për rezervën e detyruar, quhet normë e remunerimit. Vendimi i sotëm i Këshillit Mbikëqyrës e ul në zero normën e remunerimit për rezervat e detyruara të mbajtura në monedhe të huaj. Ai nuk prek normën e rezervës së detyruar, e cila mbetet në 10 për qind për të gjitha monedhat.