BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për shfuqizimin e vendimit nr. 28 të datës 25.03.2009 “Për pezullimin e shpërndarjes së fitimit nga bankat dhe degët e bankave të huaja”

Data e publikimit: 04.03.2010

 

Në mbledhjen e tij të datës 24 shkurt 2010, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim propozimin e Departamentit të Mbikëqyrjes për shfuqizimin e vendimit nr. 28 të datës 25.03.2009 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë “Për pezullimin e shpërndarjes së fitimit nga bankat dhe degët e bankave të huaja”.

Vendimi nr. 28 i datës 25.03.2009 mbështetej në disa zhvillime specifike të asaj periudhe të sistemit bankar në vend, si dhe në situatën e pasigurtë të tregjeve financiare botërore. Fundi i vitit 2008 dhe pjesa e parë e vitit 2009 përkojnë me një periudhë ku besimi i publikut ndaj bankave kudo në botë pësoi tronditje të mëdha. Kjo shkallë mosbesimi u shtri edhe midis vetë operatorëve të tregut. Për rrjedhim, presioni që ushtrohej nga tregu financiar ndërkombëtar u rrit ndjeshëm, duke shtuar pasigurinë për perspektivën afatshkurtër dhe afatmesme të sistemit bankar shqiptar.

Masa e marrë në thelbin e saj mishëronte një veprim të shtuar kujdesi në kushtet e një situate me vështirësi në rritje. Por, gjithsesi ajo u programua të ishte e përkohshme, përderisa objekt i saj ishte vendosja e kufizimeve në eksportimin e kapitalit. Duke marrë parasysh, angazhimet e shumta të vendit tonë, veçanërisht ato që lidhen me anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe Organizatën Botërore të Tregtisë, kjo masë ishte në kundërshtim me frymën e liberalizimit të llogarisë kapitale. Riatdhesimi i kapitalit dhe i fitimeve të investitorëve të huaj (përfshirë dhe transferimin e dividentëve), ka qenë një transaksion i natyrës kapitale, i liberalizuar që në mesin e vitit 1992.

Për këtë qëllim, ky vendim u ideua me një kohëzgjatje të kufizuar, duke pasur si ankorë stabilizimin dhe rikthimin e plotë të besimit të publikut ndaj sistemit bankar shqiptar.

Pas një periudhe 11-mujore, ecuria e sistemit bankar është e qëndrueshme. Pozicioni i likuiditetit në treg u përmirësua ndjeshëm dhe depozitat në sistem kanë ndjekur një tendencë të qëndrueshme në rritje, si rrjedhojë e rikthimit të besimit të publikut. Po kështu, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mbetet i pacënuar. Gjatë kësaj periudhe, u vlerësua dhe u testua pozitivisht edhe detyrimi i bankave mëmë për të mbështetur me likuiditetin e nevojshëm operacionet e degëve dhe filialeve të tyre në Shqipëri, si edhe për të injektuar kapital shtesë në raste të caktuara.

Në kontekstin global, vlerësohet se tregjet financiare duken më të stabiliziuar dhe të rigjallëruar. Edhe pozicioni i bankave tregtare në Evropë dhe SHBA, pas një valë përthithjesh apo likuidimesh, duket të jetë më i qartë dhe i sigurtë, ku një kontribut të veçantë ka dhënë mbështetja e vazhdueshme e Bankës Qendrore Evropiane dhe e Rezervës Federale me likuiditet, si edhe e qeverive të vendeve përkatëse.

Në këto kushte, propozimi për shfuqizimin e vendimit të mëparshëm, është plotësisht i argumentuar, dhe do të krijojë hapësirë për një trajtim më dinamik dhe më proaktiv në mbikëqyrjen e aktivitetit të çdo banke më vete.

Departamenti i Mbikëqyrjes, në funksion të detyrave të tij do të mbetet tërësisht i angazhuar dhe do të vijojë të monitorojë nga afër përputhshmërinë e kërkesave të bankave të veçanta për shpërndarje dividenti, me kërkesat e kuadrit rregullativ mbikëqyrës, si dhe do të sigurojë se plotësimi i kërkesave të tilla nuk do të prekë treguesit e kapitalizimit dhe likuiditetit të bankave.