BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi veprimtarinë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në kuadrin e Forumit të Hapur - Parakushtet për Inflacionin e Shënjestruar në Shqipëri

Data e publikimit: 01.12.2005

 

Në datat 1-2 dhjetor 2005, për herë të parë në këto 15 vitet e fundit, Banka e Shqipërisë organizon në hotel Sheraton, Forumin e Hapur me temë "Parakushtet për zbatimin e inflacionit të shënjestruar në Shqipëri", me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve të njohura të politikës monetare. Duke përfituar nga ky rast, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë zhvilloi takime të veçanta me disa prej të ftuarve në këtë forum, ndër të cilat mund të përmendim takimin me Drejtorin e Përgjithshëm të Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare (BIS Basel, Zvicër), z. Malcolm Knight, me Guvernatorin e Bankës Kombëtare të Republikës Çeke, z. Zdenek Tuma, me Guvernatorin e Bankës Kombëtare të Serbisë, z. Radovan Jelasic, me Guvernatorin e Bankës Kombëtare të Malit të Zi, z. Ljubisa Krgovic dhe me Drejtorin Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes dhe Pagesave të Kosovës, z. Michel Svetchine.

Gjatë këtyre takimeve, z. Fullani paraqiti një përmbledhje të zhvillimeve më të fundit në ekonominë shqiptare, duke u përqendruar në zhvillimet monetare, në nivelin e inflacionit dhe pikësynimin e mbajtjes së tij nën kontroll, në parakushtet për zbatimin e shënjestrimit të inflacionit dhe zhvillimet më të fundit në sektorin financiar dhe atë bankar, dhe në të njëjtën kohë, z. Fullani parashtroi sfidat me të cilat Banka e Shqipërisë përballet aktualisht.

Në takimin me Drejtorin e Përgjithshëm të Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare (BIS), z. Malcolm Knight, Guvernatori vlerësoi veçanërisht kontributin e BIS, sidomos në drejtim të standardizimit të rregullave të mbikëqyrjes për segmente të ndryshme të sektorit financiar, ku veçohen ato që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen e sistemit bankar. BIS është një institucion që po jep një kontribut gjithnjë e më të madh edhe në drejtim të çështjeve që kanë të bëjnë me qeverisjen e një banke qendrore. Z. Knight, pasi i shprehu Guvernatorit Fullani falenderimet për ftesën e veçantë në Forumin e Hapur që organizoi Banka e Shqipërisë, shprehu gatishmërinë e tij për vazhdimin e dhënies së ekspertizës, sidomos në fushën e mbikëqyrjes bankare, për Bankën e Shqipërisë.

 

takimi me Knight 1003 0

Në foto: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani dhe
Drejtori i Përgjithshëm i Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare, z. Malcolm D.Kngiht

Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, zoti Knight u prit në takime të vecanta nga Presidenti i Republikës, zoti Alfred Moisiu dhe nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, zoti Sali Berisha.

Në takimin me Guvernatorin e Bankës Kombëtare të Republikës Çeke, zoti Zdenek Tuma, zoti Fullani vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm të deritanishëm midis dy bankave, sidomos dhënien e eksperiencës së Bankës Qendrore Ceke në formën e trainimeve specifike me një fokus të vecantë mbi procesin e reformave drejt integrimit evropian. Në këtë takim, u theksua se nxitja e bashkëpunimit është në interes të të dyja vendeve, duke i shërbyer kështu stabilitetit dhe zhvillimeve ekonomike të rajonit. Në fund të takimit, zoti Tuma shprehu gatishmërinë e Bankës Kombëtare të Republikës Çeke për të zhvilluar edhe më tej bashkëpunimin teknik me Bankën e Shqipërisë.

 

takimi me Tuma 1004 0

Në foto: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani dhe
Guvernatori i Bankës Kombëtare të Çekisë, z. Zdenek Tuma

Në takimin me Guvernatorin e Bankës Kombëtare të Serbisë, zotin Radovan Jelasic, u bisedua gjerësisht në lidhje me sfidat që po përballen aktualisht bankat qendrore të rajonit dhe sistemi bankar në vendet respektive. Zoti Jelasic, vlerësoi interesin e veçantë të shfaqur nga ana e zotit Fullani në lidhje me zhvillimet rajonale si dhe vullnetin e tij për të vendosur marrëdhënie të qëndrueshme me vendet e rajonit. Të dy guvernatorët ndanë të njëjtin mendim se nisma e ndërmarrë për krijimin e një klubi të guvernatorëve të rajonit duhet të realizohet, me qëllim rritjen e shkëmbimit të eksperiencave të veçanta të vendeve të rajonit.

 

takimi me Jelasic 1002 0

Në foto: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani dhe
Guvernatori i Bankës Kombëtare të Serbisë, z. Radovan Jelasic

I njëjti qëndrim u evidentua edhe në takimet e Guvernatorit Fullani me dy drejtuesit e tjerë të lartë të sistemit bankar të Malit të Zi dhe të Kosovës. Nga të dy bashkëbiseduesit u theksua, se është e domosdoshme të shtohen përpjekjet në këtë drejtim dhe marrëveshjet e nënshkruara tashmë, në fushën e mbikëqyrjes duhet të pasohen me të tjerë hapa konkretë.