BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Mbi veprimtarinë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, gjatë zhvillimit të Mbledhjeve të Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

Data e publikimit: 18.04.2016

 

Në datat 15-17 prill 2016, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), në Uashington.
 
Takimet e pranverës mbledhin së bashku guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare si dhe drejtues të lartë të institucioneve ndërkombëtare financiare.

foto 2 mbledhja e pranveres ne fmn 8208 0

Ashtu siç pritej, çështja kryesore që mbizotëroi diskutimet në këto takime ishte gjallërimi i mëtejshëm i ekonomisë botërore. Në deklaratën për shtyp të Komitetit Monetar Financiar të FMN-së, vihet në dukje se “ekonomia globale vazhdon të zgjerohet në mënyrë modeste”. Në raport me vlerësimet e muajit tetor 2015, Fondi konstaton se “rreziqet në kahun rënës në perspektivën e ekonomisë botërore janë rritur”.
 
Për këtë qëllim, Komiteti rekomandon që stimulimi i rritjes dhe garantimi i stabilitetit financiar të vendeve dikton nevojën për zbatimin e politikave fiskale të orientuara drejt rritjes ekonomike, vazhdimin e politikave monetare akomoduese, thellimin e reformave strukturore përfshirë dhe ato financiare, si dhe zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit global.
 
Shqipëria u përfaqësua nga një delegacion i përbashkët me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe Zëvendësministrin e Financave, z. Erjon Luçi.
 
Gjatë pjesëmarrjes në Mbledhjet e Pranverës të FMN-së dhe BB-së, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Sejko, zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitetet më të njohura të fushës financiare ndërkombëtare dhe përfaqësues të tjerë të lartë të këtyre institucioneve. Ndër ta, v nga FMN-ja: me z. Carlo Cottarelli, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë, dhe z. Poul Thomsen, Drejtor i Departamentit Evropian;    nga grupi i BB-së: me z. Cyril Muller, Zëvendëspresident i Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, dhe zj. Ellen Goldstein, Drejtore Rajonale për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore.

.foto 1 mbledhja e pranveres ne fmn.

.foto 3 mbledhja e pranveres ne fmn.

Një takim i rëndësishëm ishte dhe ai me ministrat e financave dhe të guvernatorëve të bankave qendrore të konstituencës ku bën pjesë Shqipëria, nën drejtimin e Ministrit të Ekonomisë dhe të Financave të Italisë, z. Pier Carlo Padoan. Përveç Italisë dhe Shqipërisë, në këtë konstituencë bëjnë pjesë dhe Greqia, Malta, Portugalia dhe San Marino.
Në gjithë takimet e sipërpërmendura, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Sejko, i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, duke u ndalur në problematikën dhe perspektivën e rritjes ekonomike, si dhe në zhvillimet e sektorit bankar.
Guvernatori theksoi se rritja ekonomike e vendit është në një trajektore pozitive zhvillimi. Rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve të ardhshme. Në lidhje me zhvillimet e fundit në ecurinë e çmimeve të konsumit, z. Sejko theksoi edhe njëherë ndikimin e fortë që ka ushtruar koniunktura ndërkombëtare e çmimeve. Ai shprehu opinionin e Bankës së Shqipërisë se ecuria e inflacionit në vlerat aktuale është e përkohshme dhe shpejt ajo do të kthehet në nivelin e synuar.
Lidhur me sistemin bankar në vend, Guvernatori Sejko nënvizoi se trajtimi i çështjes së e kredive me probleme ka qenë një ndër angazhimet kryesore të Bankës së Shqipërisë, e shoqëruar me një plan veprimi të mirëmenduar për reduktimin e tyre, ku përfshihen një sërë përmirësimesh ligjore, fiskale dhe rregullatore. Zbatimi i këtij plani ndihmoi në zbritjen e nivelit të kredive me probleme në 18.2 %, në fund të vitit 2015.
Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar gjatë bisedimeve ishte dhe nxitja i kreditimit dhe masat e marra mbështetur nga politika monetare stimuluese, e cila ka dhënë efektet e saj duke ndikuar në uljen e çmimit të kredisë në të gjitha segmentet e tregut financiar në vend.
Nga ana e tyre, zyrtarët e lartë ndërkombëtarë vlerësuan punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit. Në këndvështrimin e tyre, Banka e Shqipërisë është një partner serioz dhe profesional në përmbushjen e detyrave të saj. Ata shprehën gatishmërinë për të vazhduar më tej bashkëpunimin me institucionin tonë.
Gjithashtu, delegacioni i Bankës së Shqipërisë pati rastin të kryejë takime me përfaqësues të lartë të bankave të ndryshme qendrore, mes të cilave vlen të përmendet takimi me z. Jens Weidmann, President i Bankës Qendrore të Gjermanisë. Gjatë këtij takimi, u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm me bankën qendrore të Gjermanisë si një ndër ofrueset kryesore të asistencës teknike dhe ekspertizës për Bankën e Shqipërisë. Pjesë e diskutimeve ishte rritja e bashkëpunimit dypalësh me këtë bankë në formën e një projekti potencial binjakëzimi, për të cilin Presidenti Weidmann konfirmoi angazhimin e tij.

Në kuadër të këtyre mbledhjeve, Guvernatori Sejko mori pjesë në seancën plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së si dhe në Forumin Ekzekutiv organizuar nga Banka Botërore për politikëbërësit dhe zyrtarët e lartë.
 
Në përfundim të gjithë takimeve, Guvernatori Sejko do të japë dhe një intervistë për Zërin e Amerikës, në datën 19 prill 2016, ora 18:00.