BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi veprimtaritë e Guvernatorit Sejko në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, prill 2023

Data e publikimit: 17.04.2023

 

Në datat 12-15 prill 2023, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), në Uashington.

6O2A5076 498

Në këto mbledhje marrin pjesë guvernatorë të bankave qendrore dhe ministrat e financave të vendeve anëtare, drejtues të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të botës akademike, biznesit dhe shoqërisë civile.

Shqipëria u përfaqësua në këto takime me një delegacion të përbashkët të kryesuar nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe me pjesëmarrjen e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, zj. Delina Ibrahimaj, Zëvendësguvernatores së Parë të Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi, si dhe drejtues të tjerë të lartë të të dy institucioneve.

6O2A5100 498

Në deklaratën për shtyp të Komitetit Monetar Financiar të FMN-së vihet në dukje se: “Parashikimi për ecurinë e ekonomisë globale përballet me pasiguri të shtuara. Deri më sot, ekonomia globale ia ka dalë të jetë rezistente, ndërsa pasojat makroekonomike më të rënda të parashikuara në vjeshtën e kaluar nuk janë materializuar. Megjithatë, parashikimi për rritjen ekonomike mbetet i ndrydhur, ndërkohë që rreziqet e kahut të poshtëm janë rritur. Goditjet e njëpasnjëshme, përfshirë luftën e Rusisë në Ukrainë - në kontekstin e shtrëngimit të politikës monetare, i nevojshëm për të ulur inflacionin - po rëndojnë mbi rimëkëmbjen ekonomike dhe stabilitetin makrofinanciar, ashtu siç treguan ngjarjet e fundit të stresit bankar dhe atij të tregut financiar. Inflacioni ka rënë disi, por presionet në rritje të çmimeve mbeten prezente. Dobësitë e lidhura me borxhin janë rritur, ndërsa pasiguritë në lidhje me furnizimin me ushqime dhe me energji ende vijojnë, duke prekur më së shumti vendet dhe shtresat më në nevojë. Për më tepër, pabarazia po thellohet, goditjet klimatike kanë ardhur duke u forcuar dhe rreziqet e fragmentimit duke u rritur.”

6O2A5124 498

Gjatë pjesëmarrjes në këto mbledhje, Guvernatori Sejko zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare, ndër të cilët veçojmë: takimin me kandidatin për President të Grupit të Bankës Botërore, z. Ajay Banga; me Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN, z. Federico Giammusso; Drejtorin e Departamentit Evropian në FMN, z. Alfred Kammer; Shefen e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, zj. Yan Sun; me Zëvendëspresidenten për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në BB, zj. Antonella Bassani; Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në BB, z. Matteo Bugamelli; Drejtoren Rajonale për Ballkanin Perëndimor në BB, zj. Xiaoqing Yu. Gjithashtu gjatë takimeve u krye dhe prezantimi me Shefen e re të Misionit të FMN-së për Shqipërinë, zj. Anke Weber.

6O2A5096 498

Një tjetër takim i rëndësishëm ishte ai me zëvendësguvernatorët e Bankës së Italisë, z. Luigi Federico Signorini dhe z. Piero Cipollone. Diskutimet e këtij takimi u fokusuan kryesisht në zhvillimet e sistemeve të pagesave, inovacionin në teknologji dhe infrastrukturë, si dhe sfidat e lidhura me to duke qenë se Banka e Shqipërisë synon modernizimin e mëtejshëm të sistemeve të pagesave për akomodimin e zhvillimeve në këtë fushë në mënyrë të sigurt dhe efikase.

6O2A5066 498

Gjatë takimeve me përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së, Guvernatori Sejko i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare. Ai u shpreh se ekonomia jonë i rezistoi mirë goditjeve të njëpasnjëshme nga tërmeti, pandemia dhe pasojat ekonomike të luftës në Ukrainë, të cilat nisën gjatë vitit 2022 dhe vijojnë të jenë ende të pranishme.

Banka e Shqipërisë ka garantuar stabilitetin monetar dhe financiar të vendit, duke rritur normën bazë të interesit në përputhje me objektivin e saj kryesor për të luftuar inflacionin. Këto vendime për të rritur normën, kanë qenë të udhëhequra nga analiza dhe parashikime të kujdesshme, të bazuara në informacionet më të fundit, si dhe të orientuara nga ruajtja e balancave të duhura midis rreziqeve për ekonominë e vendit.

6O2A5153 498

Pavarësisht situatave sfiduese, politikat ekonomike të ndjekura nga Banka e Shqipërisë kanë ndihmuar në ruajtjen e një niveli relativisht të ulët inflacioni krahasuar me vendet e rajonit, në uljen e pasigurisë, si dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar në vend. Inflacioni ka filluar kurbën rënëse, duke arritur në 5.3% në muajin mars. Ai pritet ta vijojë këtë trajektore gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024. 

6O2A5068 498

Lidhur me tregjet financiare, Guvernatori Sejko u shpreh se ato mbeten të qeta, edhe në prani të shtrëngimit global të kushteve të financimit. Sektori bankar paraqitet likuid, i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës. Në veçanti, treguesit e likuiditetit dhe ata të kapitalizimit të këtij sektori mbetën të kënaqshëm dhe raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit shënoi vlerën 18.1% në fund të vitit 2022.

6O2A5092 498

Interesit të përfaqësuesve të FMN-BB për ekspozimin e sistemit bankar shqiptar ndaj falimentimeve të fundit të bankave në Amerikë dhe Evropë, Guvernatori Sejko iu përgjigj se Banka e Shqipërisë ka monitoruar nga afër tregjet ndërkombëtare dhe tregu shqiptar qëndron larg këtyre rreziqeve dhe për më tepër, provat e rezistencës dhe analizës të kryera, tregojnë se bankat e nivelit të dytë janë mjaft të shëndetshme. Por, sigurisht, Banka e Shqipërisë mbetet vigjilente për të garantuar respektimin e kritereve të rrezikut dhe normave mbikëqyrëse rregullatore.

6O2A5036 498

Përsa i përket kreditimit të ekonomisë, Guvernatori shtoi se ai është mbështetur nga kushtet e favorshme të financimit në vend. Sektori bankar ka vijuar të ofrojë kushte e terma të favorshëm kreditimi, me një rritje vjetore të kredisë prej mesatarisht 14% gjatë vitit 2022. Në të njëjtën kohë, cilësia e portofolit të kredisë vijon të mbetet e shëndetshme, sikundër ilustrohet edhe nga treguesi i kredive me probleme, i cili mbetet në nivelet më të ulëta të dekadës së fundit.

Përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së e vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, në zhvillimin makroekonomik dhe stabilitetin financiar të vendit. Ata pranuan se Shqipëria i ka kaluar mjaft mirë krizat e njëpasnjëshme, madje edhe më mirë nga sa ishte parashikuar dhe për këtë Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol vendimtar. Më tej, ata inkurajuan Bankën e Shqipërisë të vijojë monitorimin e vazhdueshëm të situatës, si dhe koordinimin e politikave nga autoritetet shqiptare, duke marrë masat e nevojshme në kohën e duhur.

6O2A5064 498

Së fundi, ata theksuan se koordinimi i politikës monetare me politikën fiskale në Shqipëri dhe kahun e politikës monetare në Eurozonë dhe në botë mbetet i një rëndësie të veçantë. Konsolidimi fiskal dhe konvergjenca me politikën monetare në Eurozonë janë faktorë ndihmues në politikën monetare të Bankës së Shqipërisë dhe zhvillimin makroekonomik të vendit.

Guvernatori Sejko falënderoi përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së për asistencën teknike të ofruar ndaj Bankës së Shqipërisë, kryesisht në fushat e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, sistemit të pagesave, statistikave, mbikëqyrjes bankare dhe përfshirjes financiare.

6O2A5144 498

Guvernatori gjithashtu mori pjesë në një takim me dyer të mbyllura me ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJL) për të diskutuar mbi perspektivën dhe sfidat e politikës për Evropën të organizuar nga Departamenti Evropian i FMN-së.

Në kuadër të këtyre mbledhjeve, Guvernatori Sejko mori pjesë edhe në seancën plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së.