BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi veprimtaritë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, gjatë zhvillimit të Mbledhjeve të Pranverës të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar si dhe në Rezervën Federale

Data e publikimit: 17.04.2007

 

Nga data 11-18 prill 2007, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani dhe njëkohësisht Guvernator i Shqipërisë pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar, në krye të një delegacioni të Bankës së Shqipërisë, mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore.

Gjatë qëndrimit të tij në Washington D.C., Guvernatori i Bankës së Shqipërisë zhvilloi takime të shumta me përfaqësues të lartë të FMN-së, BB-së dhe Rezervës Federale. Në disa nga takimet me përfaqësues të FMN-së dhe të BB-së, ishin të pranishëm edhe Zëvendësministri i Financave, z. Sherefedin Shehu si edhe Drejtori i KESH-it, z. Gjergji Bojaxhiu.

Gjatë qëndrimit të tij në SHBA, z. Fullani mori pjesë në Tryezën e Rrumbullakët "Mbi stabilitetin financiar", të organizuar nga Banka e Francës, ku ishin të pranishëm shumë guvernatorë të bankave qendrore evropiane dhe përfaqësues të lartë të FMN-së.

i. Takimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Takimet u zhvilluan me z. Murilo Portugal, Zëvendësdrejtor i FMN-së, z. Jaime Caruana, Drejtor i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe Kapitale, z. Michael Deppler, Drejtor i Departamentit Evropian në FMN, z. Arrigo Sadun, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN, z. Istvan Szekely , Shef i misionit, z. Scot Brown, Asistent Drejtor në Departamentin e Zhvillimit dhe të Rishikimit të Politikave, znj. Lucie Laliberte, Zëvendësdrejtore në Departamentin e Statistikës.

Në të gjitha takimet, nga të dyja palët u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet FMN-së dhe autoriteteve të Shqipërisë. Gjithashtu, në këto takime u evidentua progresi i bërë nga autoritetet shqiptare, në drejtim të marrjes së pronësisë shqiptare mbi politikat ekonomike dhe programet e zhvillimit të vendit. Ky progres është reflektuar në një klimë të mirë besimi dhe partneriteti. Ky hap cilësor u konfirmua edhe nga z. Portugal, i cili do të zhvillojë një vizitë në Shqipëri, në muajin maj.

Diskutimet u fokusuan në çështje që kanë të bëjnë me politikën monetare, politikën fiskale, stabilitetin financiar, reformat strukturore në ekonomi si dhe perspektivat e zhvillimit të vendit.

Përfaqësuesit të lartë të FMN-së vlerësuan rolin e Bankës së Shqipërisë në drejtim të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe monetar të vendit, veçanërisht në kontrollin e inflacionit në nivelet e synuara 3 për qind si edhe për masat e ndërmarra në drejtim të konsolidimit të sistemit bankar.

Gjatë këtyre takimeve u diskutua gjerësisht vazhdimi i programeve të asistencës teknike që FMN do t'i japë Bankës së Shqipërisë. Kjo asistencë, do të konsistojë në fushat e zbatimit të politikës monetare, të ruajtjes së stabilitetit financiar dhe të fuqizimit të mbikëqyrjes bankare, të përmirësimit të funksioneve të auditit, të administrimit dhe miradministrimit të borxhit publik, si dhe të përmirësimit cilësor dhe sasior të statistikave.

ii. Takimet me Bankën Botërore.

Në kuadër të takimeve me përfaqësues të lartë të BB-së, u zhvilluan diskutime intensive me znj. Orsalia Kalantzopoulos, Drejtore Rajonale për Evropën Juglindore, z. Giovanni Majnoni, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë, z. Lalit Raina, Ekonomist i Lartë në Departamentin e Sektorit Privat Financiar, z. Kenneth G. Lay, Zëvendëspresident dhe Drejtor i Thesarit të BB-së dhe znj. Jennifer J. Calari, Drejtore e Departamentit të Partneriteteve të Investimeve Sovrane në BB.

Gjatë këtyre takimeve, nga ana e tij, z. Ardian Fullani, i njohu përfaqësuesit e lartë të Bankës Botërore me zhvillimet në sektorin bankar, me zhvillimet makroekonomike në Shqipëri si dhe masat e ndërmarra për të ruajtur këtë stabilitet nga presionet inflacioniste.

Në këto takime u diskutuan gjerësisht problemet e sektorit energjitik në Shqipëri. Guvernatori Fullani theksoi se ky problem kërkon një zgjidhje të shpejtë, të qëndrueshme përfundimtare dhe afatgjatë. Kjo zgjidhje do të ketë ndikime pozitive në zhvillimin e biznesit shqiptar, në shëndetin e financave publike dhe në stabilitetin makroekonomik.

Gjatë qëndrimit në Washington D.C., Guvernatori Fullani mori pjesë në Forumin Ekzekutiv me temë "Administrimi i Rezervave Valutore të Bankave Qendrore", i organizuar nga Departamenti i Thesarit të Bankës Botërore. Në këtë forum ishin të pranishëm guvernatorë të bankave qendrore, që ashtu si edhe Banka e Shqipërisë janë në partneritet investimi me Bankën Botërore.

iii. Takimet në Bordin e Guvernatorëve të Sistemit të Rezervës Federale si dhe në Rezervën Federale të Chicagos.

Guvernatori Fullani zhvilloi takime me z. Roger Cole, Drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes të Rezervës Federale si dhe me Presidentin e Rezervës Federale të Chicagos, z. Michael Moscow.

Gjatë këtyre takimeve u evidentuan marrëdhëniet e frytshme të bashkëpunimit midis këtyre institucioneve dhe Bankës së Shqipërisë, si dhe u diskutua në lidhje me zhvillimet e fundit në tregjet financiare, në fushën e mbikëqyrjes bankare dhe të stabilitetit financiar. Të pranishmit përshkruan përvojat dypalëshe, duke konkluduar me angazhimin e përfaqësuesve të Rezervës Federale për një asistencë më të madhe të Bankës së Shqipërisë, në lidhje me çështje të ndryshme të mbikëqyrjes bankare.