BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi veprimtaritë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, zotit Ardian Fullani, gjatë zhvillimit të Mbledhjeve Pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, Prill 2009

Data e publikimit: 04.05.2009

 

Në datat 24 -26 prill 2009, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në krye të një delegacioni të Bankës së Shqipërisë, mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, të zhvilluara në Uashington, SHBA.

Mbledhjet e përvitshme të Pranverës, të FMN-BB janë të konceptuara në formën e një forumi të hapur, gjatë të cilave guvernatorët e vendeve anëtare diskutojnë mbi zhvillimet e fundit botërore si dhe prezantojnë pikëpamjet e vendeve të tyre mbi çështjet aktuale të ekonomisë dhe të financave ndërkombëtare. Këtë vit, mbledhjet vjetore në fokus të tyre kishin vlerësimin e situatës ekonomike të krijuar në gjithë botën për shkak të krizës financiare si dhe diskutimin e marrjes së masave të ndryshme për daljen nga kjo situatë.

Takimet e zhvilluara synuan të njohin drejtuesit e lartë të këtyre institucioneve me zhvillimet ekonomiko – financiare të kohëve të fundit si dhe me sfidat e momentit dhe ato më afatgjata, me të cilat po përballet vendit.

guvernatori ne usa

Guvernatori Fullani zhvilloi disa takime, ku veçojmë ato me z. Murilo Portugal, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i FMN-së; z. Arrigo Sadun, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN; z. Gerwin Bell, Shefi i Misionit të FMN-së në Shqipëri si dhe me zj. Ngozi Okonjo – Iweala, Zëvendësdrejtore e Përgjithshme e BB-së, z. Shigeo Katsu, Zëvendëspresident i Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe të Azisë Qendrore; zj. Jane Armitage, Drejtore dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore.

guvernatori ne usa2

Në të gjitha takimet Guvernatori bëri një ekspoze të gjerë të situatës makroekonomike si dhe të sistemit bankar e financiar në Shqipëri. Në përgjigje të interesimit të bashkëbiseduesve, z. Fullani i njohu ata me masat e marra nga Banka e Shqipërisë për minimizimin e efekteve të krizës botërore ndaj sistemit bankar shqiptar.

Gjatë qëndrimit të tij në Uashington, Guvernatori Fullani, mori pjesë në seminarin me temë “Stabiliteti Ekonomik dhe Konvergjenca e BE-së në vendet e Evropës Juglindore: Ndërtimi i kapaciteteve për hartimin dhe zbatimin e politikave”, të organizuar nga Qendra Rajonale për Ekselencë Financiare (CEF), Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Komisioni Evropian. Në aktivitet ishin të pranishëm drejtues të nivelit të lartë të insitucioneve të sipërpërmenduara, si dhe zyrtarë të lartë të vendeve të ndryshme të Evropës Juglindore.

Fokusi i seminarit, u përqendrua në domosdoshmërinë e ndërtimit të kapaciteteve administrative në vendet e Evropës Juglindore (EJL) të cilat ende vazhdojnë të përballen me sfida të rëndësishme. Parë nga ky kontekst, theksi u vu tek roli i institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, veçanërisht në kushtet aktuale të krizës globale në tregjet financiare. Në fjalën e tij z. Fullani, trajtoi domosdoshmërinë që vendet e EJL duhet të ankorojnë veprimtarinë e tyre me ankora të jashtme, të materializuara në formën e treguesve sasiorë të suksesit dhe të paketës së reformave strukturore. Vetëm në këtë mënyrë do të arrihet që përafrimi i rajonit me sdandardet e BE-së të jetë sistematik dhe i qëndrueshëm ndër vite, derisa këto vende të arrijnë të konvergjojnë me të ardhurat e familjes evropiane.

Për të gjithë të interesuarit fjala e plotë e z. Fullani mund të gjendet në faqen e Bankës së Shqipërisë http://www.bankaofalbania.org/.