BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi veprimtaritë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, zotit Ardian Fullani, gjatë zhvillimit të Mbledhjeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore

Data e publikimit: 21.10.2008

 

Në datat 10 - 17 tetor 2008, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, njëkohësisht edhe Guvernator i Shqipërisë pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar, në krye të një delegacioni të Bankës së Shqipërisë, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, të zhvilluara në Uashington, SHBA.

Mbledhjet Vjetore të FMN-BB janë të konceptuara në formën e një forumi të hapur, gjatë të cilave guvernatorët e vendeve anëtare diskutojnë mbi zhvillimet e fundit botërore si dhe prezantojnë pikëpamjet e vendeve të tyre mbi çështjet aktuale të ekonomisë dhe të financave ndërkombëtare. Këtë vit, mbledhjet vjetore në fokus të tyre kishin situatën financiare me të cilën po përballet ekonomia botërore, pasojat e krijuara prej saj në vendet anëtare si dhe rrugëdaljet e mundshme.

Duke qenë se mbledhjet vjetore mbledhin së bashku një numër të madh zyrtarësh të lartë nga vendet anëtare, ato përfaqësojnë një mundësi të mirë për bashkëbisedime dhe konsultime në fusha me interes të përbashkët. Në këtë kuadër, gjatë qëndrimit të tij në Uashington, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Fullani, zhvilloi takime të shumta me përfaqësues të lartë të FMN-së, BB-së, dhe drejtues të bankave qendrore dhe bankave tregtare.

guvernatori ne takimin 3

Takimet e zhvilluara synuan të njohin drejtuesit e lartë të këtyre institucioneve me zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, progreset e bëra gjatë vitit të fundit si dhe me evidentimin e fushave që kanë nevojë për për përmirësim dhe reforma të mëtejshme. Në disa prej takimeve të zhvilluara me këtë rast, pjesëmarrja e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, zotit Ardian Fullani, ishte e përbashkët me Ministrin e Financave, zotin Ridvan Bode.

Takime me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Bisedimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar u zhvilluan me z. Murilo Portugal, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i FMN-së; z. Arrigo Sadun, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN; z. Alessandro Leipold, Drejtor i Departamentit Evropian në FMN; z. Christopher Towe, Zëvendësdrejtor i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe Kapitale; z. Gerwin Bell, Shefi i Misionit të FMN-së në Shqipëri; z. Charles Enoch, Zëvendësdrejtor i Departamentit të Statistikave si dhe me ekspertë teknikë të Fondit.

Takime me Bankën Botërore.
Bisedimet me Bankën Botërore u zhvilluan me z. Shigeo Katsu, Zëvendëspresident i Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe të Azisë Qendrore; z. Giovanni Majnoni, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në Bankën Botërore; zj. Jane Armitage, Drejtore dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore; z. Lalit Raina, Drejtor i Departamentit të Zhvillimit të Sektorit Privat dhe atij Financiar në Bankën Botërore si dhe me ekspertë teknikë të Bankës Botërore.

Takime të tjera.
Gjatë qëndrimit të tij në Uashingotn, Guvernatori Fullani zhvilloi edhe një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të bankave qendrore, nga ku veçohen takimet me guvernatorët e bankave qendore të rajonit, me zëvendësguvernatoren suedeze, znj. Barbro Wickman - Parak, me delegacionet e vendeve të tjera si Itali, Israel, Belgjikë, Kanada etj..

Në të gjithë takimet e mësipërme, biseda u përqendrua kryesisht në problemet aktuale që karakterizojnë situatën e tregjeve financiare, në masat e marra nga vendet e ndryshme, në drejtime të ndryshme ku mund të afrohet asistencë, si dhe në drejtim të koordinimit të mëtejshëm në rang rajonal.

Në takimin bilateral me Bankën e Suedisë, edhe njëherë u vu theksi në intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të deritanishëm midis dy bankave qendrore në fushën e politikave monetare, në forcimin e stabilitetit financiar, në forcimin e kontrollit të brendshem, në vlerësimin e performancës së departamenteve të Bankës së Shqipërisë si edhe në drejtim të administrimit të borxhit publik.

Vizitë pranë Bankës së Kanadasë.
Në datën 15 tetor 2008, me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Kanadasë, zotit Mark Carney, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Ardian Fullani zhvilloi një vizitë zyrtare pranë Bankës së Kanadasë.

2008.10.18 - Guvernatori BSH me Guvernatorin e BK.jpg
Foto: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani me Guvernatorin e Bankës së Kanadasë, z. Mark Carney

Guvernatori Fullani njohu homologun e tij kanadez me regjimin e politikës monetare që zbatohet në Shqipëri si dhe me zhvillimet më të fundit në ekonominë tonë, në qendër të të cilave ishin përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të mbajtur nën kontroll inflacionin si edhe për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe të një sistemi bankar të qëndrueshëm.

Në qendër të diskutimeve ishte dhe situata aktuale që lidhet me krizën financiare globale si edhe masat dhe veprimet e mundshme për ta përballuar atë.