BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi veprimtaritë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, zotit Ardian Fullani, gjatë zhvillimit të Mbledhjeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, shtator 2011

Data e publikimit: 30.09.2011

 

Në datat 23-25 shtator 2011, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në krye të një delegacioni të Bankës së Shqipërisë, mori pjesë në mbledhjet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, të zhvilluara në Uashington, SHBA.

Në takimet e zhvilluara me përfaqësues të FMN-së dhe BB-së, pjesëmarrja e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani ishte e përbashkët me atë të Ministrit të Financave z. Ridvan Bode.

Gjatë qëndrimit në Uashington, Guvernatori Fullani ka zhvilluar disa takime të rëndësishme ku veçojmë takimet me: z. Philippe le Houerou, Zëvendëspresident i Bankës Botërore; z. Piero Cipollone, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në Bankën Botërore; z. Arrido Sadun, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN; z. Antonio Borges, Drejtor i Departamentit Evropian në FMN; z. Lars Nyberg Zëvendësguvernatori i Bankës së Suedisë; zj. Jane Armitage, Drejtore dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore në Bankën Botërore; z. Gerwin Bell, Shef i Misionit të FMN-së në Shqipëri; z. Apostolos Tamvakakis Drejtor Ekzekutiv i Bankës Kombëtare të Greqisë (NBG); si dhe z. Daniel Hardy Shef Divizioni në Departamentin Monetar dhe Tregjeve Kapitale në FMN.

Gjatë këtyre takimeve Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka bërë një ekspoze të  zhvillimeve ekonomike më të fundit në Shqipëri, si dhe i ka njohur të pranishmit me masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik në vend. Guvernatori Fullani vlerësoi situatën e qëndrueshme të sektorit bankar, i cili funksionon normalisht në kushtet e një situate të qëndrueshme likuiditeti.

Gjatë qëndrimit të tij në SHBA Guvernatori i Bankës së Shqipërisë mori pjesë dhe në punimet e forumit të investimeve SHBA- Shqipëri, i cili i zhvilloi punimet në qytetin e Nju Jork-ut. Gjatë tyre, Guvernatori Fullani i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit makroekonomike, si dhe rolin e rëndësishëm që luan Banka Qendrorë në ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit. Gjatë fjalës së tij Guvernatori i vuri theks të veçantë vijimit të reformave strukturore në ekonomi. Z. Fullani garantoi investitorët se Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar në ankorimin e pritjeve inflacioniste, ndërkohë që do të vazhdojë të jetë vigjilente dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar të sistemit bankar.