BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTM PËR SHTYP
Mbi veprimtaritë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, zotit Ardian Fullani, gjatë zhvillimit të Mbledhjeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, tetor 2010
Data e publikimit: 15.10.2010
Në datat 8-10 tetor 2010, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në krye të një delegacioni të Bankës së Shqipërisë, mori pjesë në mbledhjet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, të zhvilluara në Uashington, SHBA.
Në takimet e zhvilluara me përfaqësues të FMN-së dhe BB-së, pjesëmarrja e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, ishte e përbashkët me Ministrin e Financave, z. Ridvan Bode.
Mbledhjet vjetore të FMN-BB zhvillohen në formën e një forumi të hapur, gjatë së cilës guvernatorët pjesëmarrës diskutojnë mbi zhvillimet e fundit në ekonominë botërore si dhe prezantojnë situatën makroekonomike të vendeve përkatëse. Këtë vit në qendër të diskutimeve kanë qenë strategjitë që do të ndiqen në situatën paskrize.
Guvernatori Fullani ka zhvilluar disa takime, ku veçojmë takimet me: z. Murilo Portugal, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i FMN-së; z. Arrigo Sadun, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN; z.Gerwin Bell, Shef i Misionit të FMN-së në Shqipëri; z. Ajai Chopra, Drejtor i Departamentit Evropian pranë FMN-së; zj. Ngozi Okonjo-Iweala, Drejtore e Përgjithshme Menaxhimi në Bankën Botërore; z. Philippe le Houerou, Zëvendëspresident i Bankës Botërore; zj. Jane Armitage, Drejtore dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore në BB; si dhe z. Giovanni Majnoni, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në Bankën Botërore.
Në këto takime, Guvernatori Fullani ka bërë një ekspoze të ekonomisë shqiptare si dhe ka njohur të pranishmit me masat e marra nga Banka e Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik në vend.
Drejtuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së u shprehën se Shqipëria ishte një nga vendet e pakta që arriti ti rezistojë efekteve negative të krizës globale, duke regjistruar rritje ekonomike pozitive në një ambient me inflacion të ulët. Gjatë takimeve, u vlerësua roli i rëndësishëm që ka luajtur Banka e Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik në vend. Bashkërendimi i dy politikave bazë në ekonomi, asaj monetare me atë fiskale ka qenë i suksesshëm. Veçanërisht, veprimet e fundit të ndërmarra nga qeveria për shkurtimin e shpenzimeve dhe të deficitit buxhetor si dhe reagimi i Bankës së Shqipërisë me uljen e përqindjes së interesit u vlerësuan si hapa të rëndësishëm në qëndrueshmërinë e ekuilibrave makroekonomikë të vendit.