BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi vizitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Luksemburgut, z. Yves Mersch pranë Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 26.03.2009

 

Me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, sot në datë 26 mars 2009, Guvernatori i Bankës Qendrore të Luksemburgut, z. Yves Mersch zhvilloi një vizitë zyrtare pranë Bankës së Shqipërisë.

Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të rritjes dhe thellimit të bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe bankare midis dy vendeve. Për rrjedhojë, fokus i kësaj vizite ishte diskutimi i zhvillimeve makroekonomike në ekonomitë e vendeve përkatëse si dhe ato ndërkombëtare.

guvernatori i luksemburgut, z

(Në foto Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani
me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Luksemburgut, z. Yves Mersch)

Guvernatori Fullani ka njohur homologun e tij me përpjekjet e Bankës së Shqipërisë në drejtim të ruajtjes së stabilitetit financiar të vendit dhe masave të marra në kuadër të krizës financiare globale, të cilat kanë pasur në qendër të tyre filozofinë e orientimit të sistemit bankar në zhvillimin e aktiviteteve të shëndosha financiare.

Guvernatori Mersch ka vlerësuar punën e bërë nga Banka e Shqipërisë, e cila me politikat e saj të kujdesshme ka kontribuar në ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit, duke krijuar kështu hapësirat e nevojshme për një rritje të qëndrueshme ekonomike.

Një vend të veçantë gjatë takimit midis dy guvernatorëve, ka zënë edhe thellimi i bashkëpunimit institucional në të ardhmen në fushat e politikës monetare, operacioneve monetare, stabilitetit financiar dhe komunikimit me publikun.

Në përfundim të takimit, Guvernatori Mersch ka mbajtur edhe një leksion për stafin e Bankës së Shqipërisë me temë “Origjina e krizës dhe roli i bankave qendrore”.