BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi vizitën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në Bankën Kombëtare të Polonisë

Data e publikimit: 14.04.2006

 

Në datë 13 prill 2006, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, u takua me homologun e tij, Presidentin e Bankës Kombëtare të Polonisë, z. Leszek Balcerowicz.

poloni 2 per internet 1066 0

Për herë të parë, me ftesë të Presidentit të Bankës Kombëtare të Polonisë, Guvernatori Fullani prezantoi përpara anëtarëve të Komitetit të Politikës Monetare dhe Këshillit Drejtues të kësaj banke, regjimin e politikës monetare që zbatohet në Shqipëri, zhvillimet më të fundit në ekonominë tonë në qendër të të cilave ishin përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të mbajtur nën kontroll inflacionin. Në vazhdim, zoti Fullani parashtroi edhe disa ide në lidhje me ardhmërinë e politikës monetare në Shqipëri. Në përfundim, Guvernatori Fullani, iu përgjigj interesimit të anëtarëve të Komitetit të Politikës Monetare, si dhe mirëpriti mendimet dhe sugjerimet e tyre mbi politikën tonë monetare.

Ndërsa, takimi i përbashkët midis dy drejtuesve u fokusua në fushat specifike ku do të përqendrohet bashkëpunimi dypalësh në të ardhmen. Ky bashkëpunim do t'i ofrojë Bankës së Shqipërisë përvojën e Bankës Kombëtare të Polonisë në procesin e integrimit evropian, si dhe asistencë mbi fusha specifike si mbikëqyrja bankare dhe politika monetare.

Në përfundim të vizitës, Guvernatori Fullani i shprehu Presidentit Balcerowicz, falenderimet e tij për mikpritjen e ngrohtë, si dhe vlerësoi bashkëpunimin e mirë midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Kombëtare të Polonisë.