BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi vizitën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Bankën Qendrore të Izraelit

Data e publikimit: 19.02.2008

 

Në datat 13-15 shkurt, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në krye të një delegacioni të Bankës së Shqipërisë, zhvilloi një vizitë zyrtare në Izrael me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Izraelit, z. Stanley Fischer.

guvernatori ne takimin 3

Në takimin midis dy homologëve, biseda u përqendrua në zhvillimet më të fundit që kanë karakterizuar ekonomitë respektive. Të dy guvernatorët bënë një ekspoze të përgjithshme të zhvillimeve makroekonomike, të sektorit financiar në përgjithësi, si dhe të atij bankar në veçanti. Guvernatori Fullani u ndal në përpjekjet e Bankës së Shqipërisë në drejtim të modernizimit të politikës monetare. Përsosja e procesit të vendimmarrjes, manaxhimi i likuiditetit, politika e kursit të këmbimit, si dhe nismat e fundit e ndërmarra për zhvillimin e tregut të parasë dhe atij ndërbankar në Shqipëri ishin tematikat kryesore, të cilat Guvernatori Fullani i kushtoi një rëndësi më të madhe. Nga ana e tij, Guvernatori Fischer vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të arritjes së standardeve më të mira të bankave qendrore dhe shprehu gatishmërinë që bashkëpunimi i nisur midis dy bankave të vijojë më tej në të ardhmen.

Më pas, takimet vijuan në nivel ekspertësh, ku u bë një shkëmbim analitik i përvojave përkatëse në fushën e politikës monetare, të politikës së kursit të këmbimit, të mbikëqyrjes bankare dhe të operacioneve monetare.

Një vend të veçante zunë edhe takimet me institucionet e tjera të rëndësishme financiare, si Bursa e Tel Avivit, Autoriteti Mbikëqyrës i Tregjeve të Letrave me Vlerë, si dhe takimet me drejtues të sistemit bankar dhe me përfaqësues të komunitetit të biznesit në Izrael.

Në takimin me Drejtorin Ekzekutiv të Bursës së Tel Avivit, z. Saul Bronfeld, u diskutua gjerësisht lidhur me përpjekjet e Bursës së Tel Avivit për zhvillimin e tregut të kapitaleve dhe me efektin pozitiv të këtij zhvillimi në rritjen ekonomike të vendit. Në takimin me z. Zohar Goshen, Kryetar i Autoritetit Mbikëqyrës të Tregjeve të Letrave me Vlerë, delegacioni shqiptar u njoh nga afër me përvojën e këtij institucioni në rregullimin dhe mbikëqyrjen e sistemit financiar. Në këtë takim, rëndësi e veçantë iu kushtua çështjeve që lidhen me zhvillimin e tregut financiar, si për shembull qeverisja e mirë, e besueshme dhe transparente e shoqërive tregtare dhe zbatimi i ligjit në mënyrë profesionale. Përfaqësuesit e lartë të sistemit financiar izraelit u shprehën të gatshëm të ofrojnë asistencën e duhur për Bankën e Shqipërisë.

Gjithashtu, me rëndësi të veçantë ishte dhe takimi që Guvernatori Fullani zhvilloi me një përfaqësi të komunitetit të biznesit izraelit, i organizuar nga Banka e Izraelit dhe nga Instituti i Izraelit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Eksportet. Në këtë takim, Guvernatori Fullani bëri një ekspoze të gjerë të zhvillimeve ekonomike në Shqipëri dhe u bëri ftesë investitorëve izraelitë të investojnë në Shqipëri. Në prezantimin e tij, Guvernatori theksoi se zhvillimet e viteve të fundit e kanë bërë Shqipërinë një vend me ekonomi të stabilizuar, ndërkohë që nevojat në infrastrukturë, në energji, në bujqësi, etj., e bëjnë atë të jetë një alternativë e pranueshme nga investitorët e huaj. Përparësitë dhe mundësitë e tregut shqiptar, si dhe qëndrueshmëria makroekonomike janë shoqëruar me praninë e një sistemi financiar të qëndrueshëm, roli dhe kontributi i të cilit është kthyer në një faktor jetik për financimin e ekonomisë. Në këtë kontekst, roli i sistemit bankar ka qenë i një rëndësie të madhe, duke siguruar një ndërmjetësim gjithnjë e më eficient të fondeve në ekonomi.

Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori Fullani u bëri thirrje të gjithë të pranishmëve në takim që të rrisin praninë e tyre në Shqipëri duke i garantuar ata, se edhe për periudhat në vijim ekonomia jonë do të vazhdojë të rritet me ritme të larta, në kushtet e një stabiliteti financiar të qëndrueshëm. I pranishëm në këtë takim ishte dhe Ambasadori shqiptar i akredituar në Izrael, Sh.T.Z. Tonin Gjuraj.