BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi vizitën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Bankën Qendrore të Republikës Popullore të Kinës

Data e publikimit: 13.11.2007

 

Gjatë javës së parë të nëntorit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, zhvilloi një vizitë zyrtare në Republikën Popullore të Kinës me ftesë të Guvernatorit të Bankës Popullore të Kinës, z. Zhou Xiaochuan.

Në takimin me Guvernatorin e Bankës Popullore të Kinës, z. Fullani bëri një ekspoze të gjerë të zhvillimeve në ekonominë shqiptare, veçanërisht në tregun financiar dhe në atë bankar. Gjithashtu, Guvernatori përmendi nismat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, në drejtim të përmirësimit të tregut ndërbankar si dhe në drejtim të arritjes së standardeve të një banke qendrore moderne.

guvernatori ne takim

Guvernatori Kinez gjeti rastin të vlerësojë marrëdhëniet e mira historike mes dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë e tij për bashkëpunimin. Bashkëpunimi do të jetë në drejtim të administrimit të rezervës valutore, në fushën e politikës monetare dhe atë të stabilitetit financiar.

Z. Fullani vlerësoi punën e Bankës Popullore të Kinës, në kuadër të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe financiar në një kohë kur Kina po përjeton një zhvillim të shpejtë ekonomik e mbinxehje në sektorë të veçantë të saj, në kushtet e një rritjeje të shpejtë të kreditimit.

Gjatë vizitës së tij në Kinë, z. Fullani zhvilloi një takim edhe me z. Wang Huaqing, Zëvendëskryetar i Komisionit Rregullator Bankar të Kinës, institucioni mbikëqyrës dhe rregullator i institucioneve financiare në Kinë. Guvernatori Fullani e njohu z. Wang me zhvillimet e sistemit bankar e financiar, si dhe me hapat që po ndërmerr Banka e Shqipërisë për përmirësimin e mbikëqyrjes bankare. Gjatë takimit, u ra dakord që të bashkëpunohet institucionalisht në fushën e mbikëqyrjes bankare.

Një tjetër takim mjaft i rëndësishëm ishte ai i zhvilluar me Zëvendësdrejtorin Ekzekutiv të Bankës HSBC, z. Bryan Stiles. Në këtë takim, u diskutua mundësia për investime nga Banka HSBC në Shqipëri.

Gjatë qëndrimit të tij në Kinë, z. Fullani zhvilloi takime dhe me Zëvendëspresidentin e Bursës së Shangait, z. James Liu. Është për t'u theksuar fakti që Bursa e Shangait ka një jetëgjatësi prej 17 vjetësh dhe indeksi i saj njeh një rritje konstate. Ajo ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik në vend.

Ndër zyrtarë të lartë me të cilët Guvernatori Fullani zhvilloi takime ishte edhe z. Hu Pinxi, Zëvendëspresident i Degës së BPK në Shangai.

Guvernatori Fullani i bëri një ftesë zyrtare Guvernatorit Zhou për të ardhur në Shqipëri, ftesë e cila u prit me kënaqësi.