BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi vizitën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Bankën e Anglisë dhe në London School of Economics

Data e publikimit: 05.11.2007

 

Në datat 2-3 nëntor 2007, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, zhvilloi një vizitë dyditore në Bankën e Anglisë, ku u takua me homologun e tij, Guvernatorin e Bankës së Anglisë, z. Mervyn King.

Në qendër të këtij takimi ishte shkëmbimi i përvojave mbi regjimin e inflacionit të shënjestruar, duke qenë se Banka e Shqipërisë është në procesin e përgatitjes për fillimin e adoptimit formal të këtij regjimi. Z. Fullani falenderoi Guvernatorin e Bankës së Anglisë për ndihmën e dhënë në lidhje me plotësimin e parakushteve të nevojshme për adoptimin e këtij regjimi, ndërkohë që ky i fundit siguroi mbështetjen e tij për dhënien e asistencës në përsosjen dhe modernizimin e mënyrës së hartimit të politikës monetare nga ana e Bankës së Shqipërisë.

Pjesë e axhendës së Guvernatorit Fullani ishte dhe pjesëmarrja në mbledhjen përgatitore të Komitetit të Politikës Monetare të Bankës së Anglisë, në të cilën u bë një analizë e hollësishme e zhvillimeve ekonomike dhe financiare për periudhën aktuale në Angli.

Gjatë vizitës së tij në Britaninë e Madhe, z. Fullani zhvilloi gjithashtu takime me drejtues dhe përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare. Në qendër të këtyre takimeve ishte paraqitja e zhvillimeve më të fundit ekonomike dhe financiare në Shqipëri, ruajtja e parametrave makroekonomikë, zhvillimet monetare, si dhe ruajtja e inflacionit brenda nivelit të synuar 2 - 4 për qind. Në fokus të këtij takimi ishte dhe prezantimi i mundësive për investim në Shqipëri.

Me ftesë të z. Howard Davies, Drejtor i London School of Economics and Political Science (LSE) (Shkolla për Shkenca Ekonomike dhe Politike në Londër), Guvernatori Fullani mbajti një leksion në ambientet e këtij Universiteti me temë "Konvergimi ekonomik dhe institucional i Evropës Juglindore drejt BE-së: Pikëpamja e Shqipërisë".

Leksioni u ndoq nga lektorë të këtij Universiteti si dhe nga studentë të huaj dhe shqiptarë, që studiojnë pranë këtij universiteti.

Në leksionin e tij, z. Fullani u ndal në zhvillimet ekonomike, që kanë karakterizuar vendin tonë gjatë viteve të fundit. Ndër të tjera, ai veçoi stabilitetin makroekonomik të vendit, i cili pasqyrohet në një rritje vjetore rreth nivelit 6 për qind, në rritje të të ardhurave për frymë, në mbajtjen e inflacionit brenda nivelit 2 - 4 për qind, në konsolidimin e deficitit fiskal, si dhe në stabilitetin e monedhës sonë kombëtare.

Në vijim të leksionit, Guvernatori përmendi hapat e ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të arritjes së objektivave të saj, duke u përqendruar në përgatitjet e bëra për fillimin e zbatimit të regjimit të inflacionit të shënjestruar në fillim të vitit 2009.

Në të njëjtën kohë, z. Fullani u ndal edhe në çështjet e zhvillimit të sistemit financiar të rajonit, në karakteristikat e përbashkëta si dhe në sfidat me të cilat ai përballet. Ai u shpreh se sistemi financiar i rajonit ka njohur zhvillime të konsiderueshme këto vitet e fundit dhe se ai është një nga promotorët e konvergimit të rajonit drejt standardeve të BE-së.

Guvernatori Fullani e mbylli leksionin e tij duke theksuar nevojën për kryerjen e reformave më të mëdha në drejtim të arritjes së demokracisë dhe të ekonomisë së tregut, me qëllim përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të vendeve të rajonit.

Në përfundim të leksionit të tij, z. Fullani zhvilloi një takim me profesorë dhe studentë shqiptarë që punojnë dhe studiojnë pranë këtij universiteti, duke i njohur ata nga afër me politikat ambicioze të Bankës së Shqipërisë, për thithjen e burimeve njerëzore të kualifikuara në shkollat prestigjioze, siç është edhe LSE.

LSE është një nga universitetet më të shquara e me famë botërore në fushën e kërkimit ekonomik, politik dhe shoqëror. I themeluar në vitin 1895, ai gëzon një reputacion për aftësitë e tij akademike. Që prej themelimit të tij, LSE ka synuar të shndërrohet në një laborator shkencash shoqërore, në një vend ku idetë zhvillohen, analizohen, vlerësohen dhe shpërndahen në mbarë globin.