BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi vizitën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Bankën e Suedisë

Data e publikimit: 10.06.2008

 

Në datat 4 - 6 qershor 2008, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në krye të një delegacioni të Bankës së Shqipërisë, me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Suedisë, z. Stefan Ingves, zhvilloi një vizitë zyrtare në Suedi. Kjo vizitë është zhvilluar në kuadër të marrëdhënieve të ngushta dypalëshe të bashkëpunimit, që ekzistojnë midis këtyre bankave qendrore.

guvernatori ne takimin 3
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani
me Guvernatorin e Bankës së Suedisë, z. Stefan Ingves

Fillimisht, Guvernatori Fullani ka zhvilluar një takim të nivelit të lartë me homologun e tij suedez, z. Stefan Ingves dhe përfaqësues të tjerë të lartë të kësaj banke. Fokusi i këtij takimi kanë qenë zhvillimet makroekonomike ndërkombëtare dhe ato në ekonomitë përkatëse.

Në këtë kuadër, të dy guvernatorët theksuan rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit financiar të vendit përballë sfidave globale, si një premisë e domosdoshme për të siguruar institucione financiare të qëndrueshme dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Guvernatori Fullani ka njohur homologun e tij me përpjekjet e Bankës së Shqipërisë këto vitet e fundit, për të ndërtuar dhe zhvilluar strukturat dhe proceset e punës të nevojshme për këtë qëllim, veçanërisht në drejtim të rritjes së kapaciteteve monitoruese dhe analizuese të tyre.

Nga ana e tij, Guvernatori Ingves ka vlerësuar punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të zhvillimit të saj institucional, në nivelin e bankave moderne qendrore si dhe të arritjes së standardeve më të mira ndërkombëtare në fushën e bankingut qendror.

Një vend të veçantë gjatë takimit, ka zënë thellimi i bashkëpunimit institucional në të ardhmen. Banka e Suedisë, nëpërmjet Guvernatorit të saj, konfirmoi mbështetjen për Bankën e Shqipërisë në fushat e politikës monetare, operacioneve monetare, stabilitetit financiar dhe komunikimit me publikun.

Më pas, delegacioni shqiptar ka zhvilluar takime në formën e tryezave të diskutimit me ekspertë të Bankës së Suedisë, ku pjesëmarrësit kanë parashtruar përvojën e institucioneve përkatëse mbi zbatimin e politikës monetare, menaxhimin e borxhit, monitorimin dhe ruajtjen e stabilitetit financiar si dhe mbi politikën e komunikimit të bankës qendrore me publikun.