BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi vizitën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Belgjikë dhe Luksemburg

Data e publikimit: 01.03.2007

 

Guvernatori Fullani kërkon nga Bankat e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ) dhe Komisioni Evropian një vëmendje dhe prezencë më të madhe për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të rajonit që aspirojnë Evropën. Ky forum profesional parashikohet të formalizohet me kontakte më të shpeshta midis institucioneve financiare evropiane dhe Bankës së Shqipërisë, me qëllim harmonizimin dhe mbikëqyrjen e politikave me interes të përbashkët për arritjen e standardeve të SEBQ.

Në datat 26 - 27 shkurt 2007, me ftesë të Guvernatorëve të Bankave Qendrore të Luksemburgut dhe Belgjikës, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani zhvilloi një vizitë pune dyditore pranë këtyre institucioneve. Gjatë këtyre ditëve, Guvernatori Fullani u takua dhe bisedoi me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Luksemburgut, z. Yves Mersch, si edhe me anëtarë të bordit ekzekutiv; me Guvernatorin e Bankës Kombëtare të Belgjikës, z. Guy Quaden si dhe zhvilloi takime të përbashkëta me drejtues të departamenteve të kësaj banke. Ai gjithashtu takoi dhe me Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Çështjeve Financiare dhe Ekonomike pranë Komisionit Evropian, z. Klaus Regling.

Z. Fullani bëri një prezantim të gjerë të zhvillimeve të fundit të ekonomisë shqiptare, reformave në sektorin bankar dhe atë financiar. Gjithashtu, ai prezantoi punën konkrete të Bankës së Shqipërisë në fushën e politikës monetare, duke individualizuar kontributin e dhënë në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe mbikëqyrjes së sistemit bankar. Duke qëndruar më në veçanti në këtë fushë, z. Fullani informoi drejtuesit e këtyre institucioneve në lidhje me nismën që ka marrë Banka e Shqipërisë për rivlerësimin e kuadrit strategjik të politikës së saj monetare dhe me hapat konkrete që janë bërë në këtë drejtim.

Në këtë kuptim, nga homologët evropianë u vlerësuan arritjet pozitive të ekonomisë shqiptare dhe puna e bërë në kuadër të reformës strukturore dhe arritjes së standardeve evropiane.

Në vazhdim, takimet u fokusuan në fushat specifike ku do të përqendrohet bashkëpunimi dypalësh si edhe marrja e asistencës teknike nga këto banka me qëllim njohjen sa më mirë të funksionimit të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore dhe adoptimin e tyre në realitetin shqiptar.

Një çështje e veçantë gjatë diskutimit me përfaqësuesin e Komisionit Evropian, Z. Regling, ishte edhe menaxhimi i borxhit të brendshëm ku u mor angazhimi për dhënien e ndihmesës në ngritjen dhe mbështetjen e strukturave përkatëse për një menaxhim modern të borxhit të brendshëm.

Në përfundim të takimit, Z. Fullani shprehu edhe një herë angazhimin dhe punën e bërë për përafrimin e mëtejshëm të Bankës së Shqipërisë drejt modeleve dhe standardeve të SBQE si edhe me objektivat dhe strategjinë e vendit drejt integrimit evropian.

Gjithashtu, z. Fullani informoi dhe shpjegoi nismën e ndërmarrë për më shumë bashkëpunim dhe mirëkuptim mes bankave qendrore të rajonit. Ai theksoi se zhvillimi i sektorit financiar në vend, i kombinuar dhe i koordinuar me atë rajonal do të jetë një mekanizëm shumë i rëndësishëm drejt integrimit evropian, ku roli i bankave qendrore është shumë i rëndësishëm në këtë proces. Zhvillimi i tregjeve financiare rajonale dhe integrimi i tyre në tregun financiar evropian do t'i japë një shtysë integrimit tërësor të këtyre ekonomive në tregjet e përbashkëta evropiane.

Në këtë kuadër Guvernatori Fullani u kërkoi Bankës së Luksemburgut, Bankës Kombëtare të Belgjikës dhe Komisionit Evropian që të mbështesin Bankën e Shqipërisë, por edhe bankat e tjera qendrore të rajonit, për të patur një akses me të madh në institucionet evropiane, një mbikëqyrje dhe prezencë më të madhe të Bankës Qendrore Evropiane (BQE) me këto vende si edhe për të zhvilluar takime të rregullta periodike, ku do të raportohet mbi zhvillimet ekonomike të vendeve. Ndërtimi i urave të hapura të komunikimit do t'i shërbejë njësimit të standardeve institucionale, harmonizimit të politikave të përbashkëta të zhvillimit dhe lehtësimit të fazave të mëtejshme të integrimit.

Guvernatorët Mersch dhe Quaden u angazhuan të sigurojnë mbështetjen pranë Bankës Qendrore Evropiane, me qëllim trajtimin e kësaj çështjeje në mbledhjen e ardhshme të Komitetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të BQE, për të mundësuar institucionalizimin e takimeve të BQE-së me bankat qendrore të rajonit, që aspirojnë anëtarësimin në një të ardhme të afërt.