BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi vizitën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, pranë Bankës së Greqisë

Data e publikimit: 21.07.2010

 

Në datën 19 korrik 2010, Guvernatori, z. Ardian Fullani, në krye të një delegacioni të Bankës së Shqipërisë, zhvilloi një vizitë pune në Bankën e Greqisë. Kjo vizitë u realizua në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës së Greqisë, duke vijuar praktikën e konsoliduar tashmë të shkëmbimit periodik të informacionit, analizave dhe vlerësimeve mbi çështje të ndryshme ekonomike dhe financiare me interes të ndërsjellë. Ky proces është pjesë e Memorandumeve të Mirëkuptimit të nënshkruara midis institucioneve respektive në funksion të koordinimit të masave e politikave mbikëqyrëse dhe rregullatore.

2010 07 20 vizite ne banken e greqise 3351 0

Gjatë këtyre takimeve, Guvernatori Fullani dhe Guvernatori Provopoulos diskutuan mbi zhvillimet e fundit ekonomike dhe financiare në Shqipëri e Greqi, aspektet e përbashkëta dhe veçantitë dalluese të tyre në të dy vendet, si dhe ecurinë e pritshme të këtyre zhvillimeve në të ardhmen. Të dy guvernatorët ndanë mendimin se politikat ekonomike dhe masat strukturore të ndërmarra kohët e fundit do të ndihmojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të ekonomive respektive. Sipas tyre, e rëndësishme është monitorimi i kujdesshëm i aktivitetit ekonomik dhe vlerësimi i vazhdueshëm i përshtatshmërisë së politikave ekonomike kundrejt tyre.

Në veçanti, vëmendje e veçantë gjatë kësaj vizite iu kushtua shkëmbimit të informacionit dhe të opinioneve mbi ecurinë e grupeve bankare e financiare që operojnë në dy vendet tona. Guvernatori Fullani dhe Guvernatori Provopoulos ndanë të njëjtin opinion mbi rëndësinë që ka ky proces në bashkërendimin e politikave mbikëqyrëse e rregullatore, në interes të forcimit të stabilitetit dhe rritjes së eficiencës së sistemeve financiare respektive. Ata theksuan gjithashtu se shkëmbimet e vazhdueshme financiare ishin në interesin e ndërsjelltë të të dy vendeve dhe, si të tilla, ato duhet të mirëpriten dhe të inkurajohen edhe më tej. Rritja e shkëmbimeve financiare lehtësohet më tej nga fakti se grupet bankare e financiare të cilat operojnë njëkohësisht në të dy vendet tona karakterizohen nga tregues të kënaqshëm dhe në përmirësim të likuiditetit e kapitalizimit.

Në përfundim të vizitës, të dy Guvernatorët ranë dakord që këto takime të vijojnë me kontakte të vazhdueshme në nivel teknik e vendimmarrës midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës së Greqisë.