BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi vizitën e Zëvendësguvernatorit të Bankës së Suedisë, z. Lars Nyberg, pranë Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 16.05.2007

 

Në datën 16 maj 2007, me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, Zëvendësguvernatori i Bankës së Suedisë (Sveriges Riksbank), z. Lars Nyberg, zhvilloi një vizitë zyrtare në Bankën e Shqipërisë. Kjo vizitë, shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës së Suedisë.

Fillimisht, Guvernatori Fullani e njohu zotin Nyberg me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare dhe veçanërisht në sistemin bankar, i cili si rezultat i mbikëqyrjes së kujdesshme dhe i masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë është karakterizuar nga një konsolidim i vazhdueshëm, duke kontribuar gjithnjë e më shumë në zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Gjithashtu, zoti Fullani bëri një përshkrim të kuadrit të politikës monetare në Shqipëri dhe theksoi rolin e Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.

Nga ana e tij, zoti Nyberg pasi falenderoi Guvernatorin Fullani për ftesën e bërë, vlerësoi përpjekjet dhe arritjet e Bankës së Shqipërisë në konsolidimin e sistemit bankar në Shqipëri, si dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit. Ai ka përkrahur edhe nismën e Bankës së Shqipërisë, për të pasur një dialog të vazhdueshëm dhe të thelluar ndërmjet bankave qendrore të rajonit dhe Bankës Qendrore Evropiane, duke theksuar se kjo do t'i ndihmojë këto banka në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ).

Në përfundim, takimi u fokusua në fushat specifike ku do të thellohet bashkëpunimi institucional në të ardhmen. Zoti Nyberg shprehu angazhimin e Bankës së Suedisë për dhënien e asistencës teknike, me qëllim përgatitjen e Bankës së Shqipërisë në procesin e përafrimit me SEBQ-në, duke ndihmuar në përafrimin e kuadrit ligjor dhe rregullator si dhe në përmirësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë në përputhje me standardet evropiane.

Zëvendësguvernatori Nyberg zhvilloi edhe një takim me anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.