BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zgjedhjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani si anëtar në Komitetin Drejtues të Nismës së Vjenës II

Data e publikimit: 15.04.2013

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, duke nisur nga viti 2013, është zgjedhur anëtar i Komitetit Drejtues të Nismës së Vjenës II (Vienna Initiative II).

Duke qenë se Shqipëria, është i vetmi vend jo-anëtar i Bashkimit Evropian, që ka anëtarësi në Komitetin Drejtues të Nismës së Vjenës, ajo është angazhuar  të përfaqësojë interesat e vendeve që aspirojnë të bëhen pjesë e familjes evropiane. Në këtë kuadër, Shqipëria do të luajë një rol të rëndësishëm në nxitjen e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet këtyre vendeve dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Nisma e Vjenës II vijon aktivitetin e saj mbi suksesin e Nismës së Vjenës I, krijuar në kulmin e krizës financiare globale të periudhës 2008/2009. Ajo vazhdon të përdorë platformën privat-publik, që mbledh institucione financiare ndërkombëtare të rëndësishme, Komisionin Evropian dhe institucione të tjera të BE-së, grupet bankare ndërkombëtare kryesore, si dhe autoritetet e vendit të origjinës dhe atij pritës, në plotësim të nismave të tjera.

Shtrirja gjeografike e saj i kapërcen kufijtë e Bashkimit Evropian dhe përfshin vende të Evropës Qendrore, Lindore dhe asaj Juglindore, me një prezencë tepër influencuese të bankave perëndimore.

Në këtë kontekst, objektivi i Nismës së Vjenës II, është sigurimi i ndihmës: për të shmangur uljen e ndërmjetësimit të çrregullt financiar (deleveraging); për zgjidhjen e çështjeve të stabilitetit financiar në nivel ndërkombëtar, si dhe për nxitjen e veprimeve politike aktive (policy actions), në veçanti në fushën e mbikëqyrjes, të cilat ndërmerren për të mirën e përbashkët të vendit të origjinës dhe të vendit pritës.