BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e konferencës së 24t të grupit të mbikëqyrësve bankarë të vendeve të Evropës Qendrore dhe asaj Lindore
Data e publikimit: 19.04.2011
Në datat 12- 13 prill 2011 u zhvillua në Tiranë konferenca e 24t ndërkombëtare e grupit të mbikëqyrësve bankarë të vendeve të Evropës Qendrore dhe asaj Lindore (BSCEE). Grupi i Mbikëqyrësve Bankarë të Evropës Qendrore dhe Lindore është krijuar në vitin 1991 dhe sot ai njeh si anëtarë autoritetet mbikëqyrëse bankare të 21 vendeve të këtij rajoni. Në vija të përgjithshme, ky grup shërben:
-
si një platformë bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve të mbikëqyrjes bankare të vendeve anëtare;
-
si një mundësi për shkëmbimin e përvojave në fushën e mbikëqyrjes;
-
si një forum diskutimi i nivelit të lartë për çështje aktuale dhe teknike.
Kryesia e grupit - e cila ndryshon çdo vit - për herë të parë pas shumë viteve iu besua Shqipërisë, duke i ngarkuar kështu vendit tonë përgjegjësinë për organizimin administrativ dhe teknik të konferencës së saj të 24t vjetore. Shqipëria është anëtare e këtij grupi që prej vitit 1996 dhe përfaqësohet nëpërmjet Bankës së Shqipërisë, si autoriteti i vetëm mbikëqyrës bankar i vendit.
Përveç pjesëmarrësve nga vendet anëtare, të ftuar të veçantë në këtë konferencë ishin gjithashtu personalitete si: Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Komitetit të Bazelit për Mbikëqyrjen Bankare, Drejtori i Institucioneve Financiare për Ballkanin Perëndimor BERZH, si edhe Drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes së Grupeve Bankare në Bankën e Italisë.
Konferenca, në rolin e një forumi të nivelit të lartë teknik, trajtoi dy tema:
-
Rolin e sistemit bankar dhe të mbikëqyrësit në ruajtjen e stabilitetit financiar, dhe
-
Bazel III: standardet ndërkombëtare rregullatore mbi mjaftueshmërinë e kapitalit të institucioneve financiare dhe likuiditetin, të përcaktuara nga Komiteti i Bazelit për Mbikëqyrjen Bankare.
Fjala e hapjes u mbajt nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, i cili bëri një analizë të përmbledhur të zhvillimeve ekonomike dhe financiare në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit, duke u ndalur në çështje që kërkojnë vëmendje më të madhe nga ana e industrisë bankare dhe e autoritetit mbikëqyrës në të ardhmen. Guvernatori Fullani vuri theksin mbi rëndësinë e rolit parandalues të bankës qendrore, nevojën për përmirësim të politikave makroprudenciale, përmirësimin e punës së mbikëqyrësit, rritjen e përgjegjshmërisë në drejtimin e institucioneve bankare dhe rëndësinë e cilësisë së strukturave drejtuese të tyre, si dhe vlerësimin e kujdesshëm të çdo risie apo produkti të ri bankar. Qëndrimet e mësipërme ishin në koherencë të plotë me çështjet që u ngritën më pas përgjatë konferencës si dhe me përfundimet e arritura nga pjesëmarrësit.
Më tej, të pranishmit me prezantimet e tyre parashtruan zhvillimet dhe qëndrimet e institucioneve përfaqësuese dhe njëkohësisht, kontribuan në diskutime duke dhënë opinionet dhe vlerësimet e tyre. Nga diskutimet u vu re se pavarësisht ndryshimeve që rrjedhin nga larmia e sistemeve bankare, kushteve dhe zhvillimit individual si dhe përqasjes së mbikëqyrjes bankare, përfundimet konvergonin.
Kriza e fundit financiare ravijëzoi më tej rolin e mbikëqyrjes dhe nevojën për përmirësim në drejtime të ndryshme me fokus të veçantë bankat me rëndësi sistemike, stabilizimin e kushteve të financimit të bankave, përmirësimin e praktikave të administrimit të rrezikut, rritjen e besimit në sektorin bankar, etj. Në këtë linjë, u theksua se përtej rolit që autoriteti mbikëqyrës mbart në ruajtjen e stabilitetit financiar, duhet të kihet parasysh që mbikëqyrësi nuk është vetëm rregullator; pasi po aq i rëndësishëm sa një kuadër rregullator i saktë dhe i qartë, është edhe zbatimi i tij. Ndaj, rëndësi primare merr zhvillimi i standardeve të përdorshme e transparente dhe vënia në praktikë e tyre.
Pavarësisht rëndësisë së veçantë të standardeve ndërkombëtare mbikëqyrëse si një hap në drejtimin e duhur, ato nuk duhen konsideruar si një ilaç kundër çdo problemi, sidomos në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.
Kryerja në mënyrë periodike e testeve të rezistencës (stress test) të sektorit bankar ndaj zhvillimeve ekonomike dhe financiare të pafavorshme të supozuara ishte një tjetër pikë e përbashkët që u soll në vëmendje, si një mjet mbikëqyrës mikro dhe makroprudencial.
Njëkohësisht, nevoja për rezerva të mjaftueshme kapitali u diskutua gjerësisht nga pjesëmarrësit, të cilët prezantuan edhe zhvillimet e vendeve të tyre gjatë krizës dhe masat e ndërmarra për përballimin e situatës.
Vlen të përmendet fakti se pavarësisht përmirësimit të situatës së likuiditetit në tregje, ai gjithsesi mbetet një nga momentet që kërkon vëmendje të vazhdueshme, si nga ana e mbikëqyrësve, ashtu edhe nga aktorët kryesorë të sistemit bankar. Filozofia e Bazel III është të bëjë bankat më elastike për të zbutur llojet e tronditjeve ekonomike të hasura kohët e fundit, çka ka qenë edhe shtysa për të prezantuar reforma si mikro, ashtu dhe makroprudenciale. Megjithatë, pavarësisht sa më lart, u arrit në përfundimin se administrimi i likuiditetit dhe kapitalit duhet të mbeten në nivele kombëtare dhe për më tepër, kërkesat mbikëqyrëse për likuiditetin duhet të konsiderohen si kërkesa minimale dhe jo si mjete të rekomanduara për administrimin e likuiditetit në bankë.
Në përfundim, konkluzionet e kësaj konference përmblidhen si më poshtë:
-
Vijimi i procesit të rigjallërimit të kreditimit, si një zhvillim që mbështet jo vetëm klientët dhe bankat, por edhe vetë ekonominë e vendeve pjesëmarrëse, në kuadër të një veprimtarie të shëndoshë e të sigurt bankare;
-
Përmirësimi i synuar i cilësisë së kredisë, ku kryerja e veprimeve të vendosura dhe në kohë për ekzekutimin e garancive dhe formave të tjera të kolateralit për rikuperimin maksimal të vlerave, si dhe bashkëpunimi me klientët që ndeshin vështirësi të përkohshme, konsiderohet si thelbësore, në kushtet kur veprimtaria e kreditimit pritet të vazhdojë të ndeshet me një mjedis sfidues;
-
Përqafimi nga sistemi bankar i një kulture të mbështetur në vlerat më të mira të etikës, të shërbimit dhe të integritetit, si objektiv parësor i strukturave drejtuese, çka do të çonte në rritjen e përgjegjshmërisë në drejtimin e institucioneve bankare;
-
Shmangia e përqendrimeve të mëdha si dhe e varësisë nga fondet financiare afatshkurtra me prioritet adoptimin e praktikave të kujdesshme të administrimit të rrezikut;
-
Rritja e rolit të bankës qendrore, në kuadër të politikave makroprudenciale të mbikëqyrjes, veçanërisht për sa i takon rolit parandalues të saj. Kjo nënkupton identifikimin dhe ndërtimin e një grupi treguesish të matshëm, të cilët së bashku formojnë sistemet paralajmëruese të problemeve makroprudenciale, ku pjesë e domosdoshme janë dhe testet e rezistencës, të cilat duhet të jenë më të shpeshta, reale, transparente dhe të ndahen mes autoriteteve mbikëqyrëse të vendeve anëtare të konferencës.