BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 10 qershor 2009

Data e publikimit: 10.06.2009

 
  1. Në mbledhjen e tij të datës 10 qershor 2009, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim gjendjen e sistemit bankar në fund të tremujorit të parë të vitit 2009.

Në vijim do të gjeni një përmbledhje të kësaj analize.

Sistemi bankar në fund të tremujorit të parë të vitit 2009 rregjistroi një rritje të lehtë të totalit të aktiveve, në masën 0.04 për qind në terma relativë kundrejt fundit të vitit 2008. Totali i vendosjeve në institucione financiare jorezidente, është reduktuar gjatë tremujorit të parë të vitit me rreth 1.84 miliardë lekë (3.55 për qind). Marrëdhëniet kryesore zhvillohen me institucione të vendosura në vende si Greqia dhe Austria, të ndjekura nga Gjermania, Anglia, Italia etj.

Ritmi i rritjes së kredisë vlerësohet rreth 5.25 për qind apo 20.84 miliardë lekë, kundrejt rritjes me 5.07 për qind (19.14 miliardë lekë) një tremujor më parë. Në bazë vjetore (mars’08-mars’09) vërehet rritje në nivelin 33.3 për qind apo 104.3 miliardë lekë. Megjithatë, rritja vjen kryesisht nga ndikimi i kursit të këmbimit. Analiza e kredisë në monedhë origjinale tregon për rënie të kredisë në valutë në monedhat kryesore. Kjo do të thotë se në mungesë të ndryshimit të kursit të këmbimit, kredia në total u rrit 2.94 miliardë lekë, ose 0.74 për qind.

Ndryshe nga tremujori paraardhës, analiza e dinamikës së strukturës së portofolit të kredive këtë tremujor, dallon për ritmin më të lartë të rritjes së kredisë akorduar bizneseve kundrejt kredisë dhënë individëve. Klasifikimi i kredisë sipas subjektit të kredisë (biznese dhe individë) dhe qëllimit të përdorimit të kredisë, në fund të tremujorit të parë të vitit, ashtu sikundër edhe në fundvitin 2008, dallon peshën më të madhe të kredisë për “investime në pasuri të paluajtshme” dhënë individëve me 23.3 për qind1 të tepricës totale të kredisë, pasuar nga “ovërdraftet” për bizneset me 20.7 për qind të totalit. Ndërsa, norma më e lartë e rritjes konstatohet për kredinë dhënë individëve për konsumin e mallrave jo të qëndrueshëm pasuar nga kredia për “ovërdraft” dhe ajo për kapital qarkullues dhënë bizneseve.

Dinamika e portofolit të kredive sipas monedhave edhe këtë tremujor, dallon rritjen më të madhe të kredisë në lekë. Kredia në lekë u rrit 6.88 për qind dhe kredia në valutë u rrit 4.64 për qind kundrejt rritjes respektivisht prej 9.4 për qind dhe 3.5 për qind një periudhë më parë. Bankat e mëdha vlerësohet të kryejnë mbulim më të mirë ndaj rrezikut të kursit të këmbimit që shoqëron kredinë në valutë kur të ardhurat e kredimarrësit janë në lekë, krahasuar me bankat e mesme dhe bankat të vogla të sistemit.

Rritmi i rritjes së kredive me probleme është reduktuar gjatë tremujorit të parë të vitit në 19.73 për qind. Raporti “kredi me probleme/teprica e kredisë” përllogaritet në nivelin 7.55 për qind krahasuar me 6.64 për qind në fundvitin 2008. Ky tregues rregjistroi nivelin më të lartë të gjashtë viteve të fundit në muajin shkurt të vitit 2009, kur arriti nivelin 7.77 për qind. Cilësia e kredive vijon të shfaqet më problematike për bizneset. Gjithashtu, portofoli i kredive në lekë vijon të jetë më problematik në drejtim të cilësisë së tij kundrejt portofolit te kredisë në valutë. Ndërkohë, analiza e cilësisë sipas degëve të ekonomisë, dallon në mars ’09 si degët më problematike ato të “pasurive të paluajtshme dhe dhënia me qira”, “industria përpunuese”, ”peshkimi” të cilat zënë një peshë thuajse të papërfillshme ndaj totalit te portofolit të kredive, përjashtimisht kredisë për industrinë përpunuese.

Totali i kapitalit rregullator të sistemit bankar raportohet 4.4 për qind më shumë, kundrejt rritjes prej 0.37 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2008. Kapitali bazë vijon të dominojë në përbërjen e kapitalit rregullator të sistemit. Ai zë 95 për qind, nga 93.7 për qind të një viti më parë, çka tregon për një kapital rregullator cilësisht edhe më të mirë dhe të qëndrueshëm. Kapitali shtesë i sistemit përbëhet nga borxhi i varur. Aftësia e sistemit për të mbuluar me kapital rregullator humbjet potenciale nga kredia, e cila u përkeqesua ndjeshem gjatë vitit 2008, paraqet pothuajse të njëjtën vlerë si edhe në fund të tremujorit të parë të vitit 2009.

Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit rregullator vazhdon të jetë ende i lartë në nivelin 17 për qind, krahasuar me nivelin minimal të kërkuar 8 për qind që buron nga standardet ndërkombëtare.

Fenomeni i tërheqjes së depozitave, i cili u shfaq fillimisht gjatë muajit tetor 2008, ka vijuar edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2009. Në fund të marsit totali i depozitave të sistemit paraqitet 634.5 miliardë lekë, 2.5 për qind më pak krahasuar me fundin e vitit. Gjithashtu, që nga muaji tetor, muaji mars 2009 përbën muajin me rënien më të vogel. Bazuar në të dhënat operative, për periudhën 1 prill 2009 deri në 08 qershor 2009 rezulton se depozitat në tre monedhat kryesore kanë shfaqur rritje. Depozitat në lekë tregojnë një rritje prej 3 për qind, depozitat në euro 0.2 për qind dhe ato në usd 0.3 për qind.

Një burim i rëndësishëm financimi për disa nga filialet apo degët e bankave të huaja në Shqipëri janë huatë e marra nga bankat mëma, bankat e tjera të grupit dhe institucionet të tjera financiare jorezidente. Gjatë këtij tremujori këto fonde rezultojnë të rritura me 5.5 për qind, ndërsa evidentohet edhe rritja e rëndësisë së tyre ndaj totalit të burimeve.

Treguesi “kredi ndaj totalit të depozitave” duket të jetë rritur gjatë tremujorit të parë të vitit në 4.3 pikë përqindje më e lartë krahasuar me dhjetorin 2008. Rritja e treguesit vjen nga rënia e depozitave nga klientët, ndërsa portofoli i kredisë ka vijuar rritjen. Vlerësimi i përshtatshmërisë së aktiveve likuide të sistemit tregon se ato janë të mjaftueshme për të mbuluar rënien e nivelit të depozitave sipas disa skenarëve.

Rezultati neto i sistemit bankar për tremujorin e parë të vitit 2009, ndryshe nga nje tremujor me pare, raportohet ne nje vlere pozitive prej rreth 275 milione leke. Treguesi perllogaritet me pak sesa mesatarja tremujore e vitit 2008, prej rreth 1,833.9 milione lekesh. Ndikimin kryesor e kanë dhënë shpenzimet për provigjone nga kreditë (të cilat përllogariten rreth 2 herë më të larta) si edhe shpenzimet e veprimtarisë të cilat tregojnë vijimësinë e zgjerimit të vëllimit të aktivitetit dhe veprimtarisë që ka pësuar sistemi bankar kundrejt një viti më parë.

  1. Në këtë mbledhje, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, vendosi të miratojë:
  • Rregulloren “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.
  • Rregulloren “Mbi raportimet në Bankën e Shqipërisë sipas Sistemit Raportues të Unifikuar (SRU)”.
  • Disa ndryshime në rregulloren “Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave” dhe një shtesë në rregulloren “Për administrimin e rrezikut të kredisë.“

[1] Kredia dhënë individëve për qëllime investimi në pasuri të paluajtshme përbën rreth 68.5 për qind të kredisë dhënë individëve.