BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 11 mars 2009

Data e publikimit: 11.03.2009

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 11 mars të vitit 2009, vendosi:

  • Të miratojë rregulloren “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së bankave dhe degëve të bankave të huaja në Republikën e Shqipërisë”

Rregullorja “Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë” është hartuar në përputhje dhe në zbatim të dispozitave të ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” dhe të ligjit “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, si dhe duke konsideruar eksperiencat e vendeve të tjera.

Një nga risitë e rëndësishme që sjell rregullorja është procesi i riorganizimit të bankës (ndarja e bashkimi), i cili trajtohet së fundmi në ligjin “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” dhe rregullorja bën përshtatjen e këtij proçesi edhe për bankat që veprojnë në Shqipëri, duke përcaktuar format e ndryshme të riorganizimit të një banke, si dhe kërkesat e dokumentacionin e nevojshëm për t’u paraqitur në Bankën e Shqipërisë për shqyrtimin e kërkesës për miratim, për secilin rast në veçanti.

Po kështu, rregullorja parashikon kërkesa të reja lidhur me dokumentacionin kryesisht në përshtatje të kërkesave të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, “Për banka në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit” të cilat paraqiten si:

  • të dhëna që vërtetojnë natyrën dhe burimet financiare të mjaftueshme për fillimin dhe vazhdimësinë e biznesit,
  • komisioni i vlefshmërisë së licencës sipas kërkesës së ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”,
  • trajtimi i miratimit të veprimtarisë shtesë dhe rasteve të miratimeve të tjera paraprake sipas kërkesave të ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”,
  • rastet e detyrimeve për njoftim sipas kërkesave të ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”,
  • kërkesa të tjera që lidhen me biznesplanin duke e synuar këtë si një dokument efektiv për zbatim, të shoqëruar me argumentat e aplikantit për krijimin e bankës, strategjinë për të arritur suksesin, marrjen në konsideratë të kufijve të treguesve prudencialë sipas kërkesave të ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe akteve të tjera normative.

Kjo rregullore hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë dhe me hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje, shfuqizohet rregullorja egzistuese “Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë”.

Në këtë mbledhje, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi edhe disa materiale të tjera kanë të bëjnë me aktivitetin e brendshëm të Bankës së Shqipërisë. <