BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 11 qershor 2008

Data e publikimit: 11.06.2008

 

1. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 11 qershor 2008, mori në shqyrtim raportin "Mbi gjendjen e sistemit bankar gjatë tremujorit të parë të vitit 2008".

Në vijim do të gjeni një përmbledhje të zhvillimeve kryesore në ecurinë e sistemit bankar:

• Tremujori i parë i vitit 2008 pasqyron rënien e numrit të bankave, pas bashkimit të dy bankave, rrjedhimisht edhe ndryshim në strukturën e grupeve. Sistemi bankar ka vijuar me rritjen e aktiveve me 3.6 për qind, kundrejt 6 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2007. Ndikimin kryesor në rritjen e aktiveve të sistemit bankar, për tremujorin e parë të vitit 2008, e dhanë "veprimet me klientët", të cilat u rritën me 7.13 për qind dhe me një peshë specifike prej rreth 40.7 për qind të totalit të aktiveve, si edhe "veprimet me letrat me vlerë", të cilat u rritën rreth 6.98 për qind.

• Dinamika e portofolit të kredive sipas monedhave, këtë tremujor ka një rritje relative thuajse 2 herë më të lartë të kredisë në monedhë të huaj kundrejt asaj në monedhën vendase. Gjatë këtij tremujori, kredia në monedhën vendase u rrit me 3.8 miliardë lekë ose me 4.74 për qind, ndërkohë që kredia në monedhë të huaj shënoi rritje me rreth 17.1 miliardë lekë ose rreth 8 për qind.

• Analiza e dinamikës së strukturës të portofolit të kredive konstaton një ritëm më të lartë rritjeje për portofolin e kredive dhënë individëve, me 7.94 për qind kundrejt rritjes së portofolit të kredive dhënë bizneseve, me rreth 6.55 për qind. Ky tremujor prezanton rritjen e kredisë akorduar sektorit publik me 13.3 për qind, në krahasim me tremujorin e mëparshëm.

• Tremujori i parë i vitit 2008 shënon rritjen e portofolit të kredive me probleme të sistemit bankar me 25.2 për qind nga 12.2 për qind, që ishte rritja e këtij treguesi për tremujorin e mëparshëm. Treguesi që mat cilësinë e kredive të sistemit (i llogaritur mbi baza bruto dhe që sipas standardeve përfshin kreditë e klasifikuara si "nënstandard";"të dyshimta" dhe "të humbura") prezantohet i përkeqësuar në tremujorin e parë të vitit 2008, në nivelin 3.92 për qind nga 3.36 për qind në fundvitin 2007.

• Treguesi "Fonde rezervë për kreditë me probleme/Kredi me probleme" tregon për përkeqësim të strukturës së kredive me probleme drejt klasave më të ulëta të klasifikimit dhe konfirmon rritjen e mëtejshme të kredive me probleme. Treguesi përllogaritet në nivelin 48 për qind nga 47.2 për qind, në fund të tremujorit të katërt të vitit 2007.

• Treguesit kryesorë të rentabilitetit, përkatësisht kthimi nga aktivet mesatare (RoAA) dhe kthimi nga kapitali mestar (RoAE), krahasuar me një tremujor më parë përllogariten më të ulët. Nivelet më të ulëta të këtyre treguesve kanë ardhur si rrjedhojë e rënies së rezultatit neto për tremujorin e parë kundrejt nivelit mesatar tremujor të vitit 2007, ndërkohë që aktivet mesatare dhe kapitali aksioner mesatar janë rritur në mënyrë të konsiderueshme, përkatësisht me 12 dhe 22 për qind.

• Gjatë tremujorit të parë të vitit 2008, kapitali aksioner i sistemit u rrit me rreth 4 miliardë lekë apo 7 për qind, duke arritur në 60.6 miliardë lekë në fund të marsit 2008. Kapitali i paguar vijon të jetë elementi më i rëndësishëm i kapitalit aksioner. Raporti i kapitalit aksioner ndaj totalit të aktiveve, në fund të marsit 2008 është 7.9 për qind nga 7 për qind të një viti më parë. Vlera më e lartë e tij tregon se përgjatë një viti sistemi është mbështetur relativisht më pak në borxh sesa në kapitalin aksioner për financimin e aktiveve ose ndryshe, një levë financiare më të ulët.

• Totali i kapitalit rregullator të sistemit bankar paraqitet në 49.3 miliardë lekë, në fund të marsit 2008. Krahasuar me fundin e vitit 2007 vlera e tij është rritur me 3.1 miliardë lekë apo 6.6 për qind. Kapitali bazë vazhdon të dominojë në përbërjen e kapitalit rregullator të sistemit, madje këtë tremujor pesha e tij ka pësuar rritje të lehtë, nga 94 për qind në fund të vitit 2007, në 95 për qind.

• Gjatë tremujorit të parë të vitit 2008, totali i aktiveve dhe zërave jashtë bilancit të klasifikuar sipas rrezikut u rrit me 5.7 për qind, krahasuar me fundin e vitit 2007. Ndërsa, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin, në fund të tremujorit të parë të vitit paraqitet i qëndrueshëm në nivelin 17.2 për qind, nga 17.1 për qind në fund të vitit 2007.

• Rezultati neto i sistemit bankar për tremujorin e parë të vitit 2008 raportohet rreth 2,418.15 milionë lekë ndaj 2,755.64 milionë lekëve, që ka rezultuar në tremujorin e katërt të vitit 2007.

2. Në këtë mbledhje Këshilli Mbikëqyrës vendosi "Për rishtypjen e monedhës metalike shqiptare me kurs ligjor, të prerjes 1 Lek", si dhe miratoi dokumentin "Politika e mbikëqyrjes së sistemeve të pagesave dhe të shlyerjes".

Dokumenti "Politika e mbikëqyrjes së sistemeve të pagesave dhe të shlyerjes" do të publikohet në Buletinin Zyrtar dhe në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë.