BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 12 mars 2008

Data e publikimit: 12.03.2008

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 12 mars 2008, mori në shqyrtim dhe miratoi

• Deklaratën e Bankës së Shqipërisë "Mbi stabilitetin e sistemit financiar në Shqipëri".

Në vijim do të gjeni përmbledhjen e kësaj deklarate:

Gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2007, treguesit makroekonomikë shënuan një ecuri të qëndrueshme. Qeveria arriti që në fund të vitit, të plotësojë objektivat në lidhje me nivelin e të ardhurave dhe të shpenzimeve publike, tepricën negative (deficitin) buxhetore, si edhe në lidhje me madhësinë e financimit të një pjese të shpenzimeve me burime të brendshme të tregut financiar. Shpenzimet e kryera veçanërisht në pjesën e fundit të vitit, ndryshuan tiparet e financave publike, të cilat deri atëherë shfaqën një tepricë pozitive buxhetore. Banka e Shqipërisë, ka monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën e likuiditetit të tregut ndërbankar, ku veprimet e qeverisë dhe më konkretisht ecuria e huamarrjes dhe e shpenzimeve publike, kanë një ndikim të konsiderueshëm. Në këtë kuadër, gjatë vitit të kaluar, Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë realizuan një marrëveshje për investimin e likuiditetit të tepërt të qeverisë në instrumentet përkatëse financiare të ofruara nga Banka e Shqipërisë. Në këtë mënyrë, u zbut presioni afatshkurtër dhe i dëmshëm mbi nivelin e likuiditetit dhe mbi normat e interesit në tregun ndërbankar.

Presionet inflacioniste në ekonominë e vendit, u ashpërsuan dhe u evidentuan qartë në tremujorin e fundit të vitit. Efekteve negative mbi kostot e prodhimit dhe ofertën e mallrave, të krijuara si rezultat i motit të thatë në periudhën e verës dhe të vjeshtës si edhe të situatës së rënduar energjetike brenda vendit, iu shtuan pasojat e një situate të vështirë në tregjet globale të lëndëve të para të energjisë dhe të produkteve ushqimore. Struktura e papërshtatshme e prodhimit në vend si edhe varësia nga produktet e importuara, janë faktorë të cilët ulin mekanizmat mbrojtës të ekonomisë së vendit ndaj zhvillimeve të tilla rajonale dhe globale. Si rezultat, në muajt shtator dhe tetor të vitit 2007, rritja vjetore e indeksit të çmimeve të konsumit sipas vlerësimit të Institutit të Statistikave, rezultoi përkatësisht 4.4 për qind dhe 4.2 për qind, përtej kufirit maksimal të synuar nga Banka e Shqipërisë, prej 4 për qind. Për të shmangur qëndrueshmërinë e presioneve inflacioniste, Banka e Shqipërisë rriti dy herë normën e interesit të marrëveshjeve të riblerjes, duke e ngjitur atë në nivelin 6.25 për qind. Në fund të vitit, rritja vjetore e indeksit të çmimeve të konsumit rezultoi 3.1 për qind, brenda kufijve të synuar të Bankës së Shqipërisë dhe pranë objektivit prej 3 për qind. Gjatë të njëjtës periudhë, situata në tregun e këmbimeve valutore u paraqit e qëndrueshme. Vlerat e këmbimit të monedhës kombëtare ndaj atyre të huaja, kanë lëvizur brenda intervaleve historike për periudhën, duke reflektuar gjithashtu situatën në tregjet financiare ndërkombëtare.

Shqetësimi për ngadalësimin e rritjes ekonomike botërore, si rezultat i zgjerimit të vështirësive financiare të krijuara prej cilësisë së dobët të huadhënieve për shtëpi kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u provua i vërtetë në pjesën e dytë të vitit 2007. Humbjet e konsiderueshme financiare të shkaktuara në disa prej bankave dhe institucioneve financiare më të rëndësishme të botës, ngërçi në kreditim, si edhe shtrëngimi i kushteve të likuiditetit në tregjet ndërbankare, rritën mundësitë për ndikim negativ mbi sektorin real të ekonomisë nëpërmjet rënies së konsumit dhe të investimeve nga ekonomitë familjare dhe shoqëritë e biznesit. Për këtë arsye, Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Banka Qendrore Evropiane si edhe disa banka të tjera qendrore, realizuan në bashkëveprim disa masa për të lehtësuar përmbushjen e nevojave për financim afatshkurtër të bankave dhe të institucioneve të tjera financiare, me një rëndësi globale. Në të njëjtën kohë, administrata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëri publik planin për miratimin e një pakete fiskale. Kjo paketë do të siguronte një stimul financiar prej rreth 150 miliardë dollarësh për ruajtjen e kërkesës së sektorit real të ekonomisë. Qëndrimet ndaj ecurisë së normave bazë të interesit prej bankave kryesore qendrore, u diktuan nga ndryshimet që ato kanë në objektivat e realizimit të politikës monetare. Kështu, Rezerva Federale ktheu drejtimin e lëvizjes së normës bazë të interesit, duke realizuar tre ulje të saj në periudhën shtator-nëntor deri në nivelin 4.25 për qind. Ajo gjithashtu, shprehu gatishmërinë për të vijuar me ulje të tjera për të shmangur rënien e ekonomisë në recesion dhe rritjen e papunësisë. Ndërkohë, zhvillimet e pafavorshme inflacioniste në vendet e zonës së euros, mbështetën qëndrimin e Bankës Qendrore Evropiane për të mos ulur normën bazë të interesit prej nivelit 4 për qind, i cili u ruajt deri në fund të vitit. Pritshmëritë për ngadalësim më të shpejtë të rritjes ekonomike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe ngushtimi i diferencave të normave të interesit, ndikuan në dobësimin e përgjithshëm të dollarit amerikan kundrejt valutave të tjera, veçanërisht ndaj monedhës së përbashkët evropiane, euro dhe paundit britanik.

Sistemi financiar në Shqipëri, ka vijuar rritjen e tij të qëndrueshme gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2007. Rezultati mjaft i mirë financiar, si në sektorin bankar ashtu edhe në atë financiar jobankar, ka ardhur si rrjedhojë e përdorimit më të mirë të burimeve financiare dhe vazhdimit të zgjerimit relativisht të shpejtë të veprimtarive me kthim të lartë nga investimi. Prirja afatgjatë për rënien graduale të treguesit të kapitalizimit të sektorit financiar dhe veçanërisht të atij bankar ka vazhduar, por ritmi i rënies është ngadalësuar. Kjo ecuri është përcaktuar nga sjellja e bankave dhe e institucioneve financiare më aktive, në të cilat treguesit e kapitalizimit të veprimtarisë gjenden pranë niveleve minimale të kërkuara nga kuadri ligjor dhe rregullativ. Gjatë periudhës, ka vijuar hyrja e kapitalit të huaj në institucionet financiare dhe janë konstatuar veprime të bashkimit institucional, të cilat mbështesin konsolidimin e tregut financiar. Në bazë të analizës së autoriteteve rregullative nuk evidentohet ndonjë rrezik, i përcjellë nga zhvillimet rajonale e globale ose i brendshëm, i cili ka mundësi të lartë materializimi dhe që mund të dëmtojë në mënyrë të menjëhershme dhe të rëndë veprimtarinë e sistemit financiar. Megjithatë, në këtë kuadër vlerësohet që spektri i rreziqeve në sistemin financiar po zgjerohet. Për këtë arsye, autoritetet mbikëqyrëse të tregut financiar po monitorojnë me kujdes zhvillimet, duke përgatitur përmirësimet e nevojshme ligjore dhe rregullative.

Aktivet e sektorit financiar kanë njohur rritje të qëndrueshme, por pesha e sektorit financiar jobankar mbetet e ulët, duke kufizuar kontributin e këtij sektori në zhvillimin e qëndrueshëm të të gjithë sistemit financiar. Totali i aktiveve të sistemit financiar në fund të vitit 2007, vlerësohet të jetë pranë nivelit 78.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Pesha e sektorit bankar në të, llogaritet në 76 për qind, nga 69.4 për qind që ishte një vit më parë. Sipas vlerësimit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, deri në muajin shtator 2007 vlerësohet që totali i aktiveve të shoqërive të sigurimit dhe të risigurimit, segment i cili mbizotëron në sektorin financiar jobankar, ishte rritur me 12 për qind, në nivelin 12.98 miliardë lekë. Me këtë rritje, vlerësohet që totali i aktiveve të shoqërive të sigurimit dhe të risigurimit, të licencuara në vendin tonë, ka përfaqësuar rreth 1.3 për qind të PBB-së. Kundrejt totalit të aktiveve të sektorit bankar, pesha e totalit të aktiveve të shoqërive të sigurimit dhe të risigurimit ishte vetëm 1.9 për qind në të njëjtën periudhë, duke mos patur ndryshim në krahasim me fundin e vitit 2006. Sipas vlerësimit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në fund të vitit 2007, treguesit e veprimtarisë së këtij segmenti të rëndësishëm të sektorit financiar jobankar, duke përfshirë përfitueshmërinë, aftësinë siguruese dhe kapitalizimin, kanë qenë pozitive dhe në përputhje me kërkesat e kuadrit rregullativ. Shkalla e penetrimit të produkteve të institucioneve financiare jobankare në tregun shqiptar, mbetet e ulët. Në këtë mënyrë, efekti pozitiv që ai jep, si një mekanizëm që përmirëson karakteristikat e rrezikut të produkteve financiare dhe bankare, është i kufizuar. Megjithatë, vlerësohet që ky segment i tregut mbart një potencial të lartë zhvillimi në të ardhmen. Situata optimiste në tregun financiar jobankar, dëshmohet edhe nga interesi i shtuar i investitorëve të huaj institucionalë, veçanërisht në segmentin e këtij tregu të përfaqësuar nga veprimtaria e sigurimit dhe e risigurimit. Ne sektorin bankar, gjatë gjashtëmujorit të kaluar janë finalizuar procedurat e bashkimit të dy bankave, si shprehje e procesit të mirëpritur të konsolidimit të veprimtarisë. Ndryshimet në strukturën e aksionerëve të institucioneve financiare, krahas miratimit të autoriteteve mbikëqyrëse dhe rregullative të secilit sektor, janë analizuar në lidhje me efektet në konkurrencën e tregut dhe janë miratuar nga Autoriteti i Konkurrencës.

Sektori bankar ka zgjeruar më tej investimet në kredi dhe letra me vlerë. Kështu, ai ka ruajtur nivele të kënaqshme të kthyeshmërisë nga veprimtaria, por ka shfaqur rënie të lehtë të treguesve të kapitalizimit dhe të likuiditetit. Në fund të vitit 2007, portofoli i kredive të sektorit bankar arriti në pothuaj 40 për qind të totalit të aktiveve të sektorit, duke shënuar një rritje me 4.4 pikë përqindjeje në krahasim me fundin e muajit qershor. Investimet në letra me vlerë arritën në 18 për qind të totalit të aktiveve, duke u rritur me 1.6 pikë përqindje në krahasim me të njëjtën periudhë. Në fund të vitit 2007, kthimi nga investimi i aktiveve mesatare rezultoi 1.6 për qind, ndërsa kthimi nga investimi mbi kapitalin aksioner rezultoi 20.7 për qind, pranë niveleve të shënuara në fund të vitit 2006. Cilësia e kreditimit, ndonëse është ndikuar negativisht nga ritmi i lartë i kreditimit që dikton konkurrenca në treg, ka ndryshuar pak në krahasim me fundin e muajit qershor 2007 dhe konsiderohet e mirë. Kredia në valutë vijon të mbizotërojë në portofolin e përgjithshëm të kredisë. Afati mesatar i maturimit të kredisë është zgjatur. Si rezultat i investimit në aktive me rrezik më të lartë, sektori bankar ruan prirjen vjetore të rënies së treguesit e kapitalizimit dhe të likuiditetit, ndonëse këta tregues konsiderohen në nivele të kënaqshme dhe janë mesatarisht më të lartë se ata të vendeve të tjera në rajon. Kapitalizimi i sektorit bankar në fund të periudhës, i përcaktuar sipas treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit, vlerësohet 17.1 për qind, duke rezultuar me i lartë se fundi i muajit qershor por 0.9 pikë përqindje më i ulët se një vit më parë. Aktivet likuide të sektorit bankar përfaqësojnë 49.8 për qind të totalit të aktiveve, duke shënuar një rënie prej rreth 4 pikë përqindjeje në krahasim me fundin e muajit qershor.

Analiza e karakteristikave të rreziqeve të veprimtarisë financiare tregon për rritjen e nivelit të përgjithshëm të rrezikut dhe paraqet nevojën për një monitorim të vazhdueshëm nga vetë institucionet financiare, nga autoritetet rregullative dhe nga publiku. Rritja e nivelit të rrezikut në veprimtarinë financiare dhe bankare është një proces i pashmangshëm. Ai diktohet nga hapja e ekonomisë dhe integrimi gradual në tregjet financiare rajonale dhe globale. Në të njëjtën kohë, nevoja për të përballuar konkurrencën nëpërmjet rritjes së eficiencës së veprimtarisë, nxit zgjerimin e investimeve në aktive me kthim (dhe rrezik) më të lartë. Integrimi i sistemit financiar shqiptar në tregjet rajonale dhe globale, shoqërohet me rritjen e ndjeshmërisë së tij ndaj zhvillimeve të pafavorshme në tregjet e huaja për shkak të ekspozimeve të drejtpërdrejta ose të tërthorta ndaj subjekteve që dëmtohen nga ato zhvillime. Ky efekt është më i madh nëse ai kombinohet me mungesën e një mbrojtjeje të mjaftueshme financiare, nga ana e vetë institucioneve financiare të tregut të brendshëm.

Banka e Shqipërisë vlerëson që situata e vështirë që po kalojnë tregjet ndërkombëtare financiare, shton rrezikun për sistemin financiar shqiptar. Për shkak të disa faktorëve që lidhen me karakteristikat e zhvillimit të veprimtarisë financiare brenda vendit, situata e vështirë në tregjet ndërkombëtare nuk pritet që të ketë një efekt real dhe të ndjeshëm në tregun e brendshëm financiar. Megjithatë, situata në tregjet financiare ndërkombëtare mbetet e paqëndrueshme, ndaj ndikimi i saj mbi tregun e brendshëm financiar mund të ndryshojë. Për këtë arsye, është e nevojshme që këto zhvillime të ndiqen dhe të analizohen me kujdes nga institucionet financiare dhe autoritetet rregullative të vendit.

Në këtë mbledhje, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi dhe:

• Të revokojë licencën e Bankës Italo - Shqiptare sh.a., pasi ajo pas bashkimit me Bankën Amerikane të Shqipërisë e ka kaluar trashëgiminë e saj të plotë, tek Banka Amerikane e Shqipërisë.

• Tërheqjen nga qarkullimi të kartmonedhave me kurs ligjor të prerjeve 100 lekë dhe të kartmonedhave me kurs ligjor të prerjeve 200 lekë (vetëm ato që janë me imazhin e Ismail Qemalit) brenda vitit 2008.

Deklarata e Bankës së Shqipërisë dhe vendimet e lartpërmendura do të publikohen të plota në Faqen e Internetit dhe në Buletinin Zyrtar të Bankës së Shqipërisë.