BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 15 nëntor 2006

Data e publikimit: 15.11.2006

 

Në mbledhjen e datës 15 nëntor 2006, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi rregulloren: "Për procedurat e prokurimit në Bankën e Shqipërisë". Qëllimi i rishikimit të rregullores së mëparshme "Për prokurimin e mallrave, të ndërtimeve dhe të shërbimeve në Bankën e Shqipërisë" ishte përmirësimi i efektshmërisë së saj dhe parashikimi në rregulloren e miratuar të dispozitave që rregullojnë procedurat e blerjes së pasurive të paluajtshme. Në procesin e hartimit të rregullores së mësipërme, Banka e Shqipërisë është mbështetur në praktikat më të mira që parashikon legjislacioni vendas dhe Acquis Communnautaire, në fushën e prokurimeve.

Gjithashtu në këtë mbledhje Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe miratoi rregulloren "Mbi organizimin e kleringut te çeqeve në lekë në Bankën e Shqipërisë". Nevoja për rishikimin e rregullores ekzistuese "Për organizimin e kleringut në Bankën e Shqipërisë" lindi sepse ajo ishte shfuqizuar pjesërisht me vënien në funksionim të sistemit AECH, kleringu i pagesave në vlerë të vogël. Objektivi kryesor që synon rregullorja e miratuar në mbledhjen e sotme, është përcaktimi i saktë dhe zbatimi i rregullt i procedurave që duhet të ndjekin bankat e nivelit të dytë dhe Banka e Shqipërisë në procesin e kleringut të çeqeve. Në këtë rregullore janë pasqyruar gjerësisht mendimet e bankave të nivelit të dytë.

Rregullorja "Për procedurat e prokurimit në Bankën e Shqipërise" dhe rregullorja "Mbi organizimin e kleringut të çeqeve në lekë në Bankën e Shqipërisë" do të publikohen së shpejti në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë dhe në Buletin Zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi informacionin për "Matjen e indeksit të kushteve monetare financiare për Shqipërinë", që së shpejti do të publikohet në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë si material për diskutim, si dhe disa akte të tjera që rregullojnë aktivitetin e brendshëm të saj.