BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 16 korrik 2008

Data e publikimit: 16.07.2008

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 16 korrik 2008, mori në shqyrtim dhe vendosi të miratojë :

1. "Raportin e Stabilitetit Financiar për vitin 2007".

Ky është numri i parë i Raportit të Stabilitetit Financiar, një publikim i Bankës së Shqipërisë, i cili do të vijojë të përgatitet çdo vit. Qëllimi i raportit është identifikimi dhe vlerësimi i rreziqeve me të cilat ndeshet sistemi financiar dhe infrastruktura e tij, për t'i dhënë autoriteteve publike mundësinë e identifikimit të masave përkatëse për korrigjimet e nevojshme. Për hartimin e raportit, janë shfrytëzuar të dhëna që disponohen në Bankën e Shqipërisë, si edhe është shkëmbyer informacion me autoritete të tjera që mbikëqyrin veprimtarinë e tregut financiar.

Stabiliteti i sistemit financiar është vlerësuar në bazë të performancës dhe rreziqeve që krijohen nga ndërveprimi i tij me mjedisin e përgjithshëm ekonomik, të brendshëm dhe të jashtëm, si edhe nga veprimtaria e tij. Për të vlerësuar rreziqet që vijnë për shkak të ndërveprimit me mjedisin rrethues, janë analizuar zhvillimet makroekonomike dhe të tregjeve brenda vendit dhe në ekonomitë e huaja partnere. Janë vlerësuar zhvillimet e përgjithshme dhe pritshmëritë në rritjen ekonomike, bilancin tregtar, nivelin e përgjithshëm të çmimeve, kursin e këmbimit dhe treguesit fiskalë. Janë analizuar zhvillimet më të fundit në tregjet financiare ndërkombëtare dhe ekonomitë e zhvilluara dhe është bërë një vlerësim mbi ndikimin e tyre në sistemin financiar të vendit dhe në sektorin bankar. Gjithashtu, nëpërmjet një analize të situatës së punëzënies, është vlerësuar situata e të ardhurave personale dhe efektet që ajo ka mbi aftësinë paguese të kredimarrësve të sektorit bankar. Për të vlerësuar rreziqet që rrjedhin si rezultat i veprimtarisë së sistemit financiar, janë analizuar zhvillimet në treguesit kryesorë të shëndetit financiar të tij, ku përfshihen kapitali, cilësia e aktiveve dhe performanca financiare. Madhësia e rreziqeve është vlerësuar nëpërmjet analizës "Stress-Test". Është realizuar gjithashtu një vlerësim i përmbledhur i situatës së sektorit financiar jobankar. Të dhënat dhe analiza përfshijnë kryesisht zhvillimet gjatë vitit 2007 por edhe të tremujorit të parë të vitit 2008. Pritjet për zhvillimet e ardhshme shtrihen përgjithësisht, deri në fund të vitit 2008.

Analiza e karakteristikave të rreziqeve të veprimtarisë financiare në vendin tonë, tregon për rritjen e nivelit të përgjithshëm të rrezikut. Spektri i rreziqeve është zgjeruar gjatë vitit 2007 dhe kjo prirje do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti. Kjo ecuri diktohet nga zgjerimi i mëtejshëm i investimeve të sistemit financiar në aktive me kthim (dhe rrezik) më të lartë, nga zhvillimet e brendshme të ekonomisë, nga hapja e saj dhe nga integrimi gradual në tregjet financiare rajonale dhe globale. Megjithatë, në bazë të analizës së autoriteteve rregullative, përgjithësisht sistemi financiar paraqitet aktualisht i mbrojtur nga rreziqet, që vijnë si rezultat i zhvillimeve të brendshme dhe nga ato rajonale e globale. Në këtë kuadër, nuk identifikohet ndonjë rrezik i cili ka mundësi të lartë materializimi dhe që mund të dëmtojë në mënyrë të menjëhershme dhe të rëndë veprimtarinë e sistemit financiar. Ndonëse niveli i rreziqeve është i administrueshëm, rekomandohet rritja e kujdesit mbikëqyrës nga ana e autoriteteve rregullative të tregut financiar, nga vetë institucionet financiare dhe nga publiku.

2. Rregulloren "Për strukturën dhe përdorimin e numrit ndërkombëtar të llogarisë bankare (IBAN)".

Rregullorja ka si objekt të saj përcaktimin e strukturës së numrit ndërkombëtar të llogarisë bankare për përdorim në Republikën e Shqipërisë (IBAN-i shqiptar), si dhe përcaktimin e procedurave për krijimin, kontrollin e vlefshmërisë dhe përdorimin e tij nga bankat dhe/ose degët e bankave të huaja të licencuara nga Banka e Shqipërisë.

IBAN-i (International Bank Account Number) është një numër ndërkombëtar llogarie, një format standard i zhvilluar nga ECBS (European Committee for Banking Standards) dhe ISO (International Organisation for Standardisation). IBAN-i përdoret si një informacion bankar ndërkombëtar, që në mënyrë unike identifikon llogarinë e klientit pranë një institucioni financiar. IBAN-i, i krijuar në përputhje me standardet ndërkombëtare ISO, aktualisht është zbatuar dhe përdoret në 44 vende të ndryshme të botës, kryesisht shtete anëtare të BE-së, por edhe vende të tjera të rajonit si Kroaci, Maqedoni, Turqi, Serbi, etj.

IBAN-i bën të mundur kryerjen e pagesave në mënyrë eficiente dhe duke minimizuar gabimet në transferta. Po ashtu, minimizohet edhe risku i vonesave, apo i kthimeve mbrapsht të pagesave si pasojë e gabimeve. Ky standard fillimisht është krijuar që të zgjidhë problemin e pagesave ndërkufitare me qëllim kryerjen e transferimeve mes bankave në shtete të ndryshme, por gjen zbatim edhe për pagesat brenda vendit, për sa kohë nuk ka një standard bazë kombëtar për numrin e llogarive (BBAN).

Rëndësia e përdorimit të IBAN-it, mund të përmblidhet në tre drejtime:

  • në shkallë ndërkombëtare - ndihmon në zhvillimin e një tregu të vetëm, që sjell në një nivel besueshmërie si llogaritë vendase ashtu edhe ato të huaja;
  • për bankat - përbën një proces të drejtpërdrejtë, jep mundësi për të krijuar marrëveshje dypalëshe ndërbankare, jep informacion të strukturuar dhe thjeshtëzon/minimizon riparimet rutinë të pagesave;
  • për klientët - redukton vonesat dhe komisionet në procesin e shlyerjes së pagesave, si ato brenda vendit edhe ato ndërkufitare.

Në kushtet kur Shqipëria nuk ka një strukturë bazë të përcaktuar të llogarisë bankare, aplikimi i IBAN-it, si standard kombëtar dhe ndërkombëtar i numrit të llogarisë bankare, zvogëlon mundësinë e gabimeve/vonesave, për dy arsye: (i) të gjithë numrat e llogarive të klientëve në të gjitha bankat, do të kenë një strukturë standarde; (ii) të gjithë numrat e llogarive të klientëve në të gjitha bankat, do të përmbajnë shifra kontrolli të cilat vlerësohen për saktësi nga secila bankë, sipas të njëjtit standard, si në momentin e inicimit të pagesës pranë bankës së paguesit, ashtu edhe përpara shlyerjes së saj pranë bankës së përfituesit.

IBAN-i shqiptar

Në Shqipëri, IBAN do të krijohet për të gjitha llogaritë e klientëve (ato ekzistuese dhe të reja) pranë bankave dhe degëve të bankave të huaja të licencuara nga Banka e Shqipërisë, duke zëvendësuar numrin ekzistues të llogarisë së klientit, i cili deri më tani është përdorur nga bankat për të identifikuar llogarinë e klientit. Të gjitha pagesat brenda vendit dhe ndërkufitare (për vendet ku IBAN është i aplikueshëm), që kryhen nëpërmjet sistemeve të pagesave apo bankave korrespondente, do të kryhen nga dhe në llogaritë e klientëve, numri i të cilave do të ketë formatin IBAN. Në këtë mënyrë, mundësohet njohja automatike e llogarive nga çdo bankë brenda apo jashtë vendit. Nëpërmjet IBAN-it, bankat do të mund të shmangin ndërhyrjet manuale për procesimin e pagesave, duke reduktuar kohën dhe koston e kryerjes së transaksionit.

3. Në këtë mbledhje, Këshilli Mbikëqyrës rishikoi edhe rregulloren " "Mbi minimumin e rezervës së detyruar mbajtur në Bankën e Shqipërisë nga bankat" , si dhe mori disa vendime të tjera që kanë të bëjnë me aktivitetin e Bankës së Shqipërisë.